Masakra e Mejës dëshmi e krimeve të Serbisë

17:08 | 27 Prill 2016
M. A.

Për Sanije Lulaj, 27 prilli nuk është ditë e lehtë. Ajo sot ka dalë në fshatin Mejë për të përkujtuar më të dashurin e saj,vëllain e vetëm që e kishte. 17 vjet më parë forcat paramilitare serbe e ndaluan dhe e vranë në këtë fshat të Gjakovës.

Përveç tij në Meje më 27 prill të vitit 1999 janë vrarë edhe 376 persona. Për të përkujtuar të gjithë ata që u vranë në Mejë, shumë qytetarë u mblodhën në vendin që tash quhet “Lëndina e Pikëllimit”.

Sanije Lulaj, tha se ndihen të injoruar nga institucionet e vendit, të cilat sipas saj janë duke shkelur në gjakun e të rënëve.

 

“Po ndihemi boll në gazep, se asgjë nuk janë ka bëjnë për ta. Janë ka e shkelin gjakun e heronjve e të martirëve, veç atyre ishalla Zoti jau kthen. Qysh janë kah bonjë ata në jetimë, Zoti jua ktheftë atyre, sepse nuk duhet me shkel gjakun e shqiptarit, qe mbi 100 vjet ishim nën këmbë të shkaut dhe prapë po dojnë me na lënë nën këmbë të shkaut udhëheqësit tanë… Qysh e kujtoj unë vëllaun tem a? Për kiamet boll. 1 0 vjet ka qenë mas meje, e kam rritë vet sikur fëmijën e mijë, sepse na e fali Zoti veç një, e kam rritë kishe vet. Nënën e kam pas të sëmurë, vet e kam rritë, i martuar ka qenë i ka lënë katër fëmijë, tre djem e një vajzë”, tha Lulaj.

Për nder të masakrës së Mejës dhe Ditës Kombëtare të të Pagjeturve sot në këtë ceremoni përkujtimore ishte i pranishëm edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zbogar, përfaqësues të subjekteve Politike,institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Presidenti Thaçi tha se të rënët i kanë mësuar se si nuk duhet të zmbrapsen nga idealet.

 

“Dua të ketë drejtësi për viktimat e luftës , drejtësi për të gjitha viktimat pa dallim etnie. Kosova është treguar e vullnetshme që të bashkëpunoj me të gjithë, të marrë mbi vete çdo obligim, që të sqarohen dhe të dënohen krimet e kryera nga kushdo dhe kujtdo. Kjo duhet të kërkohet nga të gjithë në rajonin tonë. Përfshirja e shtetit të Serbisë në krimet e kryera në Koosvë është dëshmuar, Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, prandaj shteti i Serbisë duhet të pranojë se ka kryer krime. Kosova vërtetë është e vendosur që të shikoj dhe të punojë për të ardhmen, e ardhmja më e mirë për gjeneratat e reja, për të gjithë qytetarët e saj. Por në të njëjtën kohë Kosova nuk harron, Kosova kërkon drejtësi dhe punon për drejtësi, prandaj, si president i Republikës së Kosovës do të punoj për drejtësi, për falje dhe pajtim”, tha Thaçi.

Nënkryetari i komunës së Gjakovës Ramadan Hoti tha se kjo datë është shumë e rëndësishme si për banorët e fshatrave të Rekës së Keqe ashtu edhe për Kosovën.

 

Sa herë jemi në Mejë i kujtojmë më ë dashurit tanë, të cilët sot po i shohim të qetë në këtë lëndinë, por sa herë jemi në Meje ne duhet ta kujtojmë ditën e 27 prillit të vitit 1999 me të vetmin qëllim që të gjithë të bashkuar të punojmë pa ndërprerë që ngjarjet e tilla të mos kthehen kurrë më në trojet tona. Sakrifica e madhe e popullit të Kosovës bëri që ne sot të jetojmë të lirë, me angazhim të ndërtojmë ardhmërinë tonë, shtetin tonë dhe të mos i harrojmë ata që më së shumti sakrifikuan për të ardhmen”, tha Hoti.

Në kuadër të Javës së të Pagjeturve këshilli i Familjarëve të kësaj kategorie ka mbajtur disa aktivitete në lidhje me fatin e atyre që edhe pas 17 viteve nuk dihet për fatin e tyre.

Bajram Qerkini duke folur në emër të këtij Këshilli, tha se Kosovës gjatë tërë javës,në prag të ditës së të Pagjeturve t? ? Kosovës, ka mbajtur takime me familjarët,ka bërë homazhe,dhe ka mbajt debat publik për fatin e atyre që nuk janë identifikuar. Në emër të këshillit foli Bajram Qerkini, i cili adresoi kritika drejt institucioneve ndërkombëtare që sipas tij po lejojnë Serbinë që të luajë me trupat e shqiptarëve të pagjetur.

Shpërndaje në rrjete sociale