Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka biseduar sot me shefat e grupeve parlamentare të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Në takime të veçanta ka pritur Adem Grabovcin nga PDK, Ismet Beqiri nga LDK, Glauk Konjufca nga VV, Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, Donika Kadaj Bujupi nga AAK, Duda Balje, Danush Ademi dhe Kujtim Paqaku nga grupi parlamentar 6 +.
“Presidentja Jahjaga, në kuadër të kompetencave kushtetuese ka njoftuar shefat e grupeve parlamentare për hapat e deritashëm të ndërmarrë në procesin e krijimit të Gjykatës Speciale dhe domosdoshmërinë e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka njoftuar shefat e grupeve parlamentare të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për nevojën e përmbylljes së këtij kapitulli të rëndë për Kosovën që do të merret me akuzat për krime të pretenduara të individëve dhe jo më pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja Jahjaga në përfundim të takimeve me shefat e grupeve parlamentare dha edhe një deklaratë për media.
“Takimet tani që i pata me të gjitha grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës ishte që thjeshtë ta përmbush obligimin tim kushtetues dhe ligjor, që të jem faktor i unitetit institucional përbrenda të gjitha institucioneve të vendit, për t’i njoftuar lidhur me të gjithë procesin që kemi kaluar deri më tash sa i përket përmbushjes së një obligimi ndërkombëtar që ne e kemi marrë si shtet. Ju e dini shumë mirë se Kuvendi i Kosovës tanimë e ka miratuar me 2/3 të votave të legjislacionit të kaluar për miratimin dhe themelimin e Gjykatës Speciale dhe letërkëmbimin në mes të Presidentit të vendit dhe përfaqësueses speciale të BE-së dhe alternativën të cilën tani e kemi përpara është alternativa më e mirë për qytetarët e Kosovës, për institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Jahjaga.
“Unë e kam thënë disa herë dhe e ritheksoj edhe herave të ardhshme se kjo nuk e vendos në pikëpyetje luftën e lavdishme të UÇK-së, por është një proces që ka të bëjë me individë të caktuar dhe ne kemi thënë se ne si shtet, por është edhe parim kushtetues i Kosovës se jemi të përcaktuar për drejtësinë ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne duhet t’i përmbahemi këtij parimi dhe ne duhet ta përmbushim këtë obligim”, ka thënë më tej ajo.
Sipas saj, alternativa tjetër, që të kalohet në Këshillin e Sigurimit, e cila është përcaktuar për Kosovën, është alternativë shumë e rrezikshme për Kosovën.
“Unë besoj se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesit e popullit të Kosovës, që janë deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta gjejnë kurajon dhe guximin që të mos shkojnë asaj rruge, por ta përmbushin atë obligim ndërkombëtar që ne e kemi marrë si shtet”, përfundon Jahjaga.
Jurgen Klopp në Real Madrid?
Rekord të ardhurash nga turizmi/ BSH: Ekonomia përfitoi 4.4 ...
Vazhdojnë protestat dhe bllokimet e rrugëve nga fermerët
Tahiri bisedon me Thaçin me telefon: E njoftova se nesër zër...
Punimet e ndërtimit në rrugën Veternik–Graçanicë zvarriten, ...
Policia në veri ndalon 4 automjete me targa serbe me mallra ...