Mbikëqyrësit e punonjësve të shërbimit civil kanë shkelur ligjin. Ata ua ndanë pagat e tepruar të ish punëtorëve pa asnjë vendim, punëtorëve të tjerë të këshillit duke tejkaluar buxhetin në kategorinë paga dhe mëditje.
Kjo shkelje, është identifikuar nga anëtarët e komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, gjatë shqyrtimit të raportit vjetor, financiar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil për vitin 2014. Madje komisioni vendosi që ky raport të dorëzohet në seancë bashkë me vërejtjen e lartpërmendur. Përfaqësuesit e këshillit nuk ishin në gjendje të dëshmojnë se kanë vendim për këtë ndarje të mjeteve.
Safete Hadërgjonaj, nënkryetare e komisionit parlamentar për buxhet dhe financa ka thënë se një institucion që bënë mbikëqyrjen e punës të gjithë shërbyesve civil të bëjë këtë shkelje është e pa justifikueshme.
“Një institucion që i mbikëqyrë shërbimin civil dhe me bërë një shkelje të tillë është e pa arsyeshme”, ka thënë Hadëgjonaj.
Ajo madje i ka pyetur përfaqësuesit e këtij këshilli t’i tregoj një bazë ligjore se në çka janë bazuar kur kanë marrë këtë vendim.
“Tregoma një dokument ku je bazuar që i ke rrit pagat…me çka e ke bazuar rregulloren “, ka thënë Hadërgjonaj.
Ndërsa përgjigja e përfaqësuesit financiar të këshillit, Miran Zeneli, ka thënë se për këtë vendim është bazuar me vendim të këshillit.
“Në bazë të këshillit dhe rregullorja e brendshme organizimi i brendshëm”, ka thënë Zeneli.
E menjëhershme me reagim ka qenë Safete Hadërgjonaj e cila ka thënë se kjo është bërë një shprehi e institucioneve të pavarura që i raportojnë kuvendit, për mjetet që iu teprojnë ata iu shpërndajnë të punësuarve të vetë.
“E kemi pasur edhe rastin me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që i ka bërë pagat e veta dhe ka 5 mijë e më shumë euro në mandatin po flasë në raporte tjera. Prandaj e njëjta gjë po ndodh prapë. Çka te iu teprojnë mjete këta i shpërndajnë. Ku guxojnë me i shpërnda ashtu mjetet dhe ku marrin atë të drejtë për me i shpërnda mjetet çka teprojnë”, tha Hadërgjonaj.
Ndërsa, Zeneli është munduar të arsyetoj këtë ndarje mjetesh duke thënë se ka mungesë të zyrtarëve financiarë.
“Unë kam mungesë të zyrtarëve financiar, këto mjetet do të thotë që kanë tepruar që janë akumuluar nuk është që i kanë shfrytëzuar të gjithë anëtarët e këshillit si shtesë po i kanë marrë edhe zyrtarët financiarë në bazë të rregullores për decentralizim të shpenzimeve vjetore ata kryejnë punë të duplifikuara edhe ski qare “, ka thënë Zeneli.
Kurse, Safete Hadërgjonaj e ka pyetur se a kanë miratim të ministrisë.
Ndërsa Zeneli ka thënë se nuk janë miratuar këto bartje të mjeteve nga ministria.
Ndryshe, Naser Osmani, kryetar i komisionit për buxhet dhe financa, ka thënë se sipas mekanizimit që ekziston, duhet të merret një pëlqim apo vendim prej ministrisë të shërbimeve publike.
“Për mua pikëpyetja më e madhe, pse ministria e ka fut në sistem të pagesave çështjen e pagesave jashtë orarit të punës nuk është kjo çështje që vendos as këshilli, as institucioni i juaj për këtë kompensim janë institucionet tjera ”, ka thënë Osmani.
Ai, iu ka thënë anëtarëve të këshillit që e pranojnë raportin mirëpo nuk e pranojnë asnjë shtimë në kompensim të pagesës jashtë orarit të punës, ku sipas tij kjo nuk është e rregulluar me ligj. Prandaj, ne rekomandimin për seancë komisioni e dërgojnë me këtë vërejtje.
Po ashtu, për këtë rast kishte vërejtje edhe nga anëtarët tjerë të komisionit. Ilir Deda anëtar i komisionit ka kërkuar të di nëse kanë vendim me shkrim për këtë ndarje buxhetore.
“Më falni ju thatë keni pasur aprovim prej ministrisë së administratës publike, a mundemi pra me kërkuar që me na i dorëz aprovim sepse ajo me shkrim duhet me qenë. Nëse i keni aprovimet prej institucioneve nga qeverisë kishte me qenë në rregull me na dhënë shkresat të cilat i keni pasur”, ka pyetur Deda.
Ndërsa, anëtarët e këshillit kanë thënë se nuk kanë vendim me shkrim nga asnjë ministri për këtë ndarje që kanë bërë.
Po ashtu, edhe Latif Gashi, anëtar i komisionit ka thënë se nuk do të thotë se edhe institucionet tjera nuk janë vënë në lajthitje nga këshilli me këto bartje të mjeteve.
“Nëse i kemi nuk do të thotë që ju nuk i keni vënë në lajthitje institucionet tjera edhe nuk mundeni me dhënë justifikim realisht edhe nuk donë me thënë që edhe ata se kanë shkel ligjin nëse i kanë aprovuar”, tha Gashi.
Po ashtu, komisioni ka miratuar edhe këto raportet: raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Raportit vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Pronës, raportin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorial të Kosovës për vitin. Ndërsa nuk e ka miratuar kornizën afatmesme të shpenzimeve të kuvendit të Kosovës për vitet 2016-2018.
5.8 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos...
Forcohet bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe Departamentit Amer...
Përparim Rama mbështet “protestën gjithëkombëtare” në RMV: S...
Shkon në dy numri i viktimave të aksidentit në “Ibrahim Rugo...
Rrëzohet kërkesa për modifikimin e dënimit të Haxhi Shalës
Ngjarje e rëndë në Gostivar: Gjendet e varrosur një grua që ...