Gratë: Marshojmë, s’Festojmë sepse jemi të diskriminuara

12:45 | 8 Mars 2016
Arbresh.info

Dhjetarë femra të Kosovës kanë marshuar sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas me moton “Marshojmë S’Festojmë” në sheshet kryesore të Prishtinës.

“Nuk kemi dalë me kullotë, kemi dalë me protestu”, “Poshtë ngacmimi seksual”, “Kërkojmë barazi gjinore” etj, kanë qenë disa prej shprehjeve në pankartat që mbanin në duar gratë

Jeta Rexha, njëra prej organizatoreve të marshit tha se kjo iniciativë nuk do të mbesë vetëm për një ditë por ajo do të vazhdoj.

“Marshi është kundër kornizave ligjore që po shkelen. Ligjet që po bëhen janë diskriminuese ndaj femrave. Sot i përmendëm disa emra të grave që janë vra dhe ky është një problem që është rrënjos në shoqërinë tonë dhe nuk mund të hiqet lehtë. Neve na mbetet me debatu për këto gjëra, me dal në rrugë me protesu dhe më ba diçka që mund të zgjedhim”, është shprehur ajo.

Ndërkaq Igballe Rugova, aktiviste për të Drejtat e Grave thotë se sot i është plotësuar ëndrra pasi që po sheh djem dhe vajza të rinj që po i dërgojnë të drejtat e femrës përpara.

“Marshojmë s’festojmë sepse kemi kryeministër që dje na ka thënë kemi dal me kullotë ndërsa sot thotë se jemi pjesë e civilizimit. Marshojmë s’festojmë sepse kemi diskriminime, kemi dhunë në rrugë, në shkolla, nuk kemi kushte në institucione publike as shëndetësi, gratë po vdesin nëpër klinika. Marshojmë s’ festojmë sepse institucionet publike janë bërë biznes. Marshojmë s’festojmë sepse gratë e dhunuara ende nuk kanë drejtësi”, tha Rugova./arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale