‘Peticioni për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë po injorohet nga Ban Ki Moon’

21:43 | 2 Mars 2016
M. A.

Nënshkrimet e mbi 115 mijë qytetarëve të Kosovës që kërkojnë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë ende nuk ka arritur në adresën për të cilën ishte dedikuar.

Dorëzimi i këtij peticioni në OKB ishte paraparë të bëhej në shtator të vitit 2015. E sot kryetarja e bordit që kishte organizuar nënshkrimin e peticionit , Ministrja Edita Tahiri, konsideron se ky peticion është duke u injoruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së Ban ki Moon.

Edita Tahiri, Ministrja pa portofol e cila e kishte këshillin për këtë çështje thotë se OKB po shkel të drejtat ndërkombëtare duke ua mohuar viktimave të drejtën e tyre për drejtësi.

Megjithatë Tahiri thekson se kjo çështje nuk do të heshtet. Ajo paralajmëron angazhime shtesë deri në aranzhimin e protestave.

“OKB do të bëjë shkeljen e të gjithë rezolutave të saja dhe një prej tyre është rezoluta kryesore 21:06 e Këshillit të Sigurimit e cila drejtpërsëdrejti ka të bëjë me mbrojtjen dhe drejtësinë për gratë e dhunuara gjatë luftërave”, tha Tahiri për RTK’në.

Në anën tjetër në janar të këtij viti Qeveria e Kosovës ka miratuar projektrregulloren për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ligji për mbrojtën e viktimave të dhunës seksuale ishte miratuar në tre mujorin e parë të vitit 2014.

 

Shpërndaje në rrjete sociale