Kryetarja e Kushtetueses pret në takim ndihmësadministratorin e USAID-it

19:24 | 2 Mars 2016
M. A.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës,. Arta Rama-Hajrizi, dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese,. Gresa Caka-Nimani, pritën në takim ndihmësadministratorin për Evropë dhe Euro-Azi të Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Thomas Melia, si dhe drejtorin e USAID-it në Kosovë, James Hope.

Siç thuhet në komunikatë, kryetarja Rama-Hajrizi e falënderoi Melian për mbështetjen e vazhdueshme që USAID-i i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që nga themelimi i saj, duke e vlerësuar kontributin e dhënë nga ky mision si shumë të rëndësishëm për sundimin e së drejtës në Kosovë.

“Ajo vuri në dukje rëndësinë e konsolidimit dhe të avancimit të mëtutjeshëm të gjyqësisë së pavarur në vend, para së gjithash nëpërmjet respektimit të pavarësisë institucionale dhe financiare të gjykatave, si dhe nëpërmjet angazhimit të gjyqtarëve profesionistë. Biseda më tutje u fokusua në sfidat me të cilat vazhdon të përballet Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me ç’rast u shkëmbyen ide dhe mendime përkitazi me realizimin e projekteve të përbashkëta që kanë për synim avancimin profesional të gjyqtarëve dhe të këshilltarëve juridikë të Gjykatës”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, ndihmësadministratori i USAID-it për Evropë dhe Euro-Azi, Thomas Melia, u zotua për vazhdimin e mbështetjes të Gjykatës Kushtetuese nga misioni që udhëheq.

Shpërndaje në rrjete sociale