Vetëvendosje kërkon largimin e Ramiz Lladrovcit nga Shërbimi i Jashtëm

16:42 | 1 Mars 2016
M. A.

Vetëvendosje, përmes një kumtese ka kritikuar, siç ka thënë ajo, degradimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ajo njëkohësisht ka reaguar edhe ndaj postimeve të fundit Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri Ramiz Lladrovci kundrejt deputetit të kësaj parit,e Rexhep Selimi.

Lëvizja Vetëvendosje thekson se që nga shpallja e pavarësisë përfaqësimi i Republikës së Kosovës nga përfaqësuesit e deleguar në vende të ndryshme të botës Ministria e Punëve të Jashtme ka degraduar tej mase.

Emërimi i personave për të përmbushur apetitet e militantëve partiakë pa respektuar as kërkesat minimale të paraqitura në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës ka bërë që misionet diplomatike të njihen vetëm për mungesë të profesionalizimit, për skandale të shumta dhe deklarata të dëmshme.

Të emëruarit në misione diplomatike, thotë kumtesa VV-së , nuk kanë arritur ende të kuptojnë se cilat janë detyrat e tyre dhe se si duhet të sillen në zbatim të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm siç shihet edhe nga deklarata e fundit e Ramiz Lladrovcit, i emëruar Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë.

VV konstaton se v Ambasadori Ramiz Lladrovci ka bërë shkelje të rëndë të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm dhe duhet të shkarkohet menjëherë.

Neni 4 i Rregullores për Shërbimin e Jashtëm i përshkruan detyrat e një Ambasadori i cili përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër. Ndër të tjera, sipas këtij neni, Ambasadori shërben në emër të Republikës së Kosovës në shtetin pranues ku është akredituar, lëshon deklarata dhe paraqet qëndrime në emër të Republikës së Kosovës, dhe në rastin kur emërohet Ambasador, duhet të japë Deklaratën e Paanshmërisë duke konfirmuar përgjegjësinë e tij për të vepruar në mënyrë të paanshme.

Sot, Ramiz Lladrovci, si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, postoi një status politik në llogarinë e tij në facebook kundër deputetit të Vetëvendosjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke shkelur kështu Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm. Në këtë status, ndër të tjera, ai tha, “Rexhep Selimin, jo rastësisht, e ka kapur zhegu i halleve”, “Është koha të kthjellohesh Rexhë”, “Ti sulmove turpshëm zotin Hashim Thaҫi”, “Çfarë të tha Adem Jashari (…) kur po dëgjonte nga vetë ti, miku im, se duhej të vritej Fehmiu dhe grupi i tij”. Përmes këtij postimi, Ramiz Lladrovci ka shkelur Nenin 4 të Rregullores.

Pra, Ambasadori ka lëshuar një deklaratë e cila, përveçse nuk paraqet qëndrim të Republikës së Kosovës, është deklaratë kundër një deputeti të opozitës, në tentim mbrojtje të bashkë-partiakut të tij, duke e shkelur edhe Deklaratën e Paanshmërisë.

Vetëvendosje në fund të kumtesës ka ftuar Komisionin për Grada dhe Disiplinë, që sipas kompetencave të përshkruara në Nenin 12 të Rregullores, ta shqyrtojë këtë shkelje të rëndë dhe urgjentisht të fillojë procedurë disiplinore në mënyrë që sa më shpejtë të largohet Ramiz Lladrovci nga shërbimi i jashtëm.

Shpërndaje në rrjete sociale