Thaçi: Kemi respektuar të gjitha procedurat ligjore

20:41 | 29 Shkurt 2016
M. A.

Hashim Thaçi, presidenti në pritje të marrjes së detyrës, ka thënë se si kryetar shteti, do të punoj që të afrojë të gjithë spektrin politik në Kosovë. Situatën aktuale politike në vend, Thaçi e ka quajtur ngërç, duke u shprehur i bindur se Kosova do ta tejkalojë këtë situatë.

Në një intervistë për RTK-në, Thaçi ka folë si president i ri i vendit, duke thënë se do të punojë me të gjithë spektrin politik në Kosovë, shoqërinë civile, dhe se do të jetë sa më afër qytetarëve të vendit.

“Do t’i dëgjoj edhe e opinionet e opozitës edhe shoqërisë civile, edhe mediave. Kemi situata sfiduese por do të ia dalim, jemi në rrugë të mbarë e të drejtë. Skena politike do të gjej gjuhën e përbashkët dhe në fund do të punoj për interesat e vendit”, ka thënë Thaçi.

Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Thaçi tha se kanë respektuar të gjitha procedurat ligjore.

“Kemi respektuar bazën kushtetuese e ligjore, me një proces të rregullt dhe transparent. Vlerësoj edhe opinionet politike që janë të ndryshme, por unë do të punoj për unifikim e bashkim, në interes te të gjithë shoqërisë së vendit”, ka thënë ai.

Ai tregoi se tashmë është liruar nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, ku tha se këtë e ka bërë në një kohë kur partia e tij është fituese në garën elektorale.

Ai tha se do të marrë këshilla e rekomandime nga të gjitha kategoritë e njerëzve në Kosovë, në mënyrë që të ketë një qasje më produktive për vendin dhe shoqërinë.

Tutje, Thaçi tha se do të respektojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe se do të punojnë në normalizimin e plotë të mardhënieve me Serbinë.

Shpërndaje në rrjete sociale