Pacolli paralajmëron masa të reja për mbrojtjen e mjedisit gjatë ngjarjeve publike

19:46 | 31 Korrik 2026
E H

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se është nxjerrë një vendim i ri që vendos rregulla dhe masa të detyrueshme për organizatorët e festivaleve, koncerteve dhe aktiviteteve të tjera publike, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.

Sipas Pacollit, nga tani organizatorët do të jenë të obliguar të sigurojnë menaxhim të duhur të mbeturinave, pastrim të plotë të hapësirave pas përfundimit të aktiviteteve, respektimin e kufijve të zhurmës, si dhe mbrojtjen e ajrit, ujit dhe natyrës.

Ajo ka bërë të ditur se për aktivitetet me ndikim më të madh në mjedis, komunat do të mund të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës pas përfundimit të ngjarjeve.

“Ky vendim shënon një standard të ri të përgjegjësisë mjedisore në Kosovë. Zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese duhet të ecë krah për krah me mbrojtjen e mjedisit”, ka shkruar Pacolli.

Ministrja në detyrë ka theksuar se institucionet do të jenë të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, duke vlerësuar se mbrojtja e një mjedisi të pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave të ardhshëm.//Arbresh.info