Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj diskutimeve për hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Preshevë, duke theksuar se ky është një akt i natyrshëm diplomatik që synon t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Në një reagim publik, ajo ka kundërshtuar krahasimet që e paraqesin hapjen e kësaj konsullate si të barasvlershme me mundësinë e hapjes së një Konsullate të Serbisë në Shkodër, duke e cilësuar këtë si një paralele të gabuar politikisht dhe historikisht.
Sipas Kusari-Lilës, Shqipëria nuk e konteston sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, ndërsa Serbia vazhdon të mos e njohë Republikën e Kosovës, kundërshton anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe vazhdon fushatën diplomatike kundër njohjeve të saj.
Ajo vlerëson se, përderisa Beogradi zyrtar vazhdon ta mohojë pavarësinë e Kosovës dhe mban, sipas saj, një retorikë hegjemone ndaj sovranitetit të saj, nuk mund të flitet për simetri politike apo diplomatike ndërmjet dy rasteve.
Kusari-Lila ka theksuar gjithashtu se historia e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe Serbisë, e shoqëruar me luftërat, spastrimin etnik, krimet e kryera në Kosovë dhe mungesën e përgjegjësisë shtetërore nga Serbia për të kaluarën, e bën të papërshtatshëm relativizimin e këtyre realiteteve përmes një “barazimi” artificial.
Në reagimin e saj, ministrja në detyrë thekson se Shqipëria ka qenë dhe mbetet faktor stabiliteti në rajon, duke mbështetur dialogun, integrimin euroatlantik dhe fqinjësinë e mirë, por shton se fqinjësia e mirë duhet të ndërtohet mbi respektin reciprok.
“Nuk mund të ketë normalizim të plotë me një shtet që vazhdon të mohojë një realitet të pakthyeshëm: Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, ka deklaruar ajo.
Në përfundim, Kusari-Lila rithekson se hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Preshevë nuk kërkon dhe nuk imponon asnjë “kundërpeshë” në Shkodër, duke argumentuar se bëhet fjalë për dy çështje krejtësisht të ndryshme, me kontekste historike, politike dhe juridike të pakrahasueshme./Arbresh.info
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...
Pesë persona arrestohen pas sekuestrimit të armëve në rajoni...