Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e raportit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, me listën preliminare të personave të vrarë, personave të zhdukur me dhunë dhe personave të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë së bashku, raport i cili përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori, të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi.
“Për periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999, janë dokumentuar gjithsej 12,230 viktima të luftës në Kosovë. Secili numër na flet për të dashurit tonë që na u vranë, familjet që u shkatërruan dhe mungesën e mallin të cilin e ndjejmë edhe sot e kësaj dite”, tha kryeministri, teksa theksoi se veçanërisht e rëndë është pesha e krimeve të kryera ndaj fëmijëve, e që sipas raportit në grupmoshën nga 0 deri në 17 vjeç janë 1,047 fëmijë të vrarë; 94 kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës; ndërsa ende nuk dihet për fatin e vendndodhjen e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë.
Ndonëse lista është preliminare dhe ajo do të vazhdojë të përditësohet sa herë që sigurohen dokumente ose dëshmi të reja, kryeministri Kurti tha se “kjo listë e parë institucionale është rezultat i punës së Institutit për ta përmbushur përgjegjësinë ndaj viktimave të luftës, familjeve të tyre dhe historisë së vendit”.
Me këtë rast, ai ftoi edhe njëherë institucionet, organizatat, studiuesit qytetarët, që nëse nuk gjejnë diçka, për çfarë kanë dijeni në këtë listë preliminare, e cila është e hapur online, t’i lajmërohen sa më parë që munden Institutit.
Ndërkaq, Atdhe Hetemi, Drejtor i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, tha se pas themelimit të Institutit, në nëntor të vitit 2023, menjëherë kemi filluar me harmonizimin e të dhënave që kanë ekzistuar si për personat e vrarë, ata të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës, por edhe për krimet e tjera siç janë masakrat, varrezat masive dhe kështu me radhë.
“Si rezultat, Instituti si përgjigje institucionale ka filluar procesin e standardizuar të verifikimit dhe validimit të të dhënave. Pra, jo bashkimin teknik të listave ekzistuese, por identifikim, krahasim, verifikim dhe validim individual të secilit person të vrarë, të zhdukur me dhunë apo të vdekur si pasojë e luftës”, tha Hetemi.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
Të dashur qytetarë,
Të nderuar gazetarë,
I nderuari drejtor i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi,
Sot jemi këtu së bashku për të prezantuar një raport shumë të ndjeshëm dhe fort të rëndësishëm. Përkushtimi për hartimin e këtij raporti riafirmon një nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të çdo shoqërie demokratike: se nuk ka drejtësi pa të vërtetën, nuk ka shërim pa drejtësi dhe nuk ka qëndrueshmëri pa kujtesë.
Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë së bashku. Raporti përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori, të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi.
Për periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999, janë dokumentuar gjithsej 12,230 viktima të luftës në Kosovë.
Secili numër na flet për të dashurit tonë që na u vranë, familjet që u shkatërruan dhe mungesën e mallin të cilin e ndjejmë edhe sot e kësaj dite.
Veçanërisht e rëndë është pesha e krimeve të kryera ndaj fëmijëve. Raporti dokumenton se në grupmoshën nga 0 deri në 17 vjeç janë:
– 1,047 fëmijë të vrarë;
– 94 kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës; ndërsa
– ende nuk dihet per fatin e vendndodhjen e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë.
Vrasja e mbi një mijë fëmijëve, përtej së qeni statistikë tragjike, është plagë e thellë e shoqërisë sonë. Është akuzë e përhershme kundër barbarisë së luftës dhe detyrim për shtetin tonë, që e vërteta të dokumentohet, drejtësia të kërkohet dhe kujtesa të ruhet.
Të dhënat tregojnë gjithashtu intensitetin e jashtëzakonshëm të dhunës, të krimeve të luftës, të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, gjatë pranverës së vitit 1999.
Gjatë muajve mars dhe qershor të atij viti, u vranë 9,948 njerëz, që përbëjnë rreth 81.3% të të gjitha viktimave të dokumentuara në këtë raport, e pra numri i gjithmbarshëm i të cilëve është 12,230.
Ky fakt flet vetë. Dëshmon për tmerrin që përjetoi popullsia civile gjatë fazës kulmore të luftës. Këto shifra, këta njerëz të dashur që na u vranë, na obligojnë që kujtesa të mbahet e gjallë dhe e fortë, kurse drejtësia të mbetet kërkesë e pandërprerë.
Të nderuar të pranishëm,
Kjo listë e parë institucionale është rezultat i punës së Institutit për ta përmbushur përgjegjësinë ndaj viktimave të luftës, familjeve të tyre dhe historisë së vendit.
Për më shumë se çerek shekulli, dokumentimi i viktimave të luftës është bërë nga institucione të ndryshme, organizata vendore e ndërkombëtare, studiues e individë. Secili prej tyre ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e fakteve dhe dokumentimin e luftës. Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson këtë punë.
Instituti është themeluar pikërisht mbi këtë bazë. Jo për të zëvendësuar atë që të tjerët kanë bërë ndër vite, por për të verifikuar dhe institucionalizuar atë.
Raporti që publikohet sot paraqet edhe metodologjinë mbi të cilën është ndërtuar kjo listë dhe shpjegon procesin e mbledhjes, verifikimit dhe të validimit të të dhënave.
Lista është preliminare, pra nuk nënkupton se puna është e përfunduar. Do të thotë se Instituti do të vazhdojë ta përditësojë sa herë që sigurohen dokumente ose dëshmi të reja. Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar një bazë të të dhënave që është institucionale dhe e cila i reziston kohës e u shërben brezave që do të vijnë pas nesh.
Prandaj, dua t’u bëj thirrje familjeve të viktimave, institucioneve publike, organizatave dhe çdo qytetari që posedon dokumente ose informacione relevante, të bashkëpunojnë me Institutin. Çdo informacion i ri do të trajtohet me seriozitet dhe sipas metodologjisë së njëjtë profesionale.
Sepse pa dokumentim nuk ka kujtesë. Pa kujtesë nuk ka drejtësi. Dhe pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.
Të nderuar të pranishëm,
Edhe sot, më shumë se një çerek shekulli pas luftës, plagët mbeten të hapura.
Dje, në fshatin Kalludër në komunën e Zubin-Potokut, kanë nisur gërmimet në një lokacion ku dyshohet që ekziston një varrezë masive. Në terren janë angazhuar ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e EULEX-it. Ky fakt na kujton se për shumë familje, lufta nuk ka përfunduar, përderisa ende nuk janë gjetur personat më të dashur të tyre. Për qindra familje, pritja vazhdon. Për to, çdo gërmim është shpresë. Çdo identifikim është një hap drejt së vërtetës e drejt drejtësisë.
Derisa këto gërmime janë rezultat i punës së institucioneve tona, moszbatimi nga Serbia i Deklaratës së Brukselit për të Zhdukurit me Dhunë, e dakorduar më 2 maj 2023, përkatësisht refuzimi për të hapur arkivat e ushtrisë, është dëshmi se shteti fqinj vazhdon t’i ikë përgjegjësisë për krimet e kryera në vendin tonë gjatë luftës së fundit.
Andaj, e përsërisim thirrjen ndaj faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë trysninë ndaj Serbisë që, mes tjerash, të ndryshohet vendimi për klasifikim 30-vjeçar deri në vitin 2044 dhe të hapet arkiva e Brigadës së Motorizuar 37 e Ushtrisë Jugosllave, në mënyrë që të kemi informacione për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.
Republika e Kosovës ecë gjithnjë në rrugën e së vërtetës dhe drejtësisë. Sepse shtetet e sigurta ndërtohen mbi fakte, mbi respektin për dinjitetin njerëzor, mbi sundimin e ligjit dhe mbi përgjegjësinë institucionale.
Kjo listë është pjesë e këtij angazhimi. U dedikohet familjeve që kanë pritur me dekada. U dedikohet të mbijetuarve që kanë jetuar me dhimbjen. U dedikohet brezave të rinj që meritojnë ta njohin historinë të bazuar në fakte.
Sot e çdo ditë përkulemi me respekt para secilës viktimë. Riafirmojmë zotimin e Republikës së Kosovës se e vërteta nuk do të ngelet e pazbuluar, dhe se sakrifica e madhe e popullit tonë nuk do të zbehet nga harresa.
Lavdi të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!/Arbresh.info
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...