Sulmi në Berlin, Rama: Shqipëria qëndron me Gjermaninë, nuk ka vend për urrejtje dhe ekstremizëm

16:12 | 26 Korrik 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për sulmin e ndodhur gjatë paradës së Krenarisë në Berlin, ku një automjet u përplas me turmën, duke shkaktuar një viktimë dhe disa të plagosur.

Përmes një reagimi në X, kreu i qeverisë shqiptare shprehu solidaritetin me Gjermaninë dhe dënoi çdo formë dhune dhe ekstremizmi.

“Jam thellësisht i trishtuar nga lajmi tragjik që vjen nga Berlini. Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, i shpreh solidaritetin tonë të përzemërt Gjermanisë dhe popullit gjerman. Nuk mund të ketë tolerancë për urrejtje, dhunë apo ekstremizëm në asnjë formë. Ato kërcënojnë jo vetëm sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe vetë vlerat që mbajnë demokracitë tona të bashkuara. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tyre, me vendosmëri dhe pa hezitim. Mendimet e mia janë me familjen e viktimës dhe u uroj shërim të plotë dhe të shpejtë të gjithë atyre që u plagosën. Shqipëria qëndron me Gjermaninë”, shkruan Rama.

Një grua ka humbur jetën dhe 16 persona të tjerë janë plagosur pasi një makinë u përplas me turmën gjatë një aktiviteti të Krenarisë në Berlin. Policia njofton se është duke zhvilluar një operacion kërkimi për një ose më shumë të dyshuar, mes tyre edhe një person tashmë të identifikuar. Autoritetet kanë publikuar një fotografi të të dyshuarit, për të cilin thonë se ka lidhje me qarqe islamiste.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale