Transfermarkt përditëson vlerat e futbollistëve pas Botërorit: Haaland dhe Yamal bëhen më të shtrenjtët në botë

16:45 | 22 Korrik 2026
D.H

Kampionati Botëror më i madh në histori, me gjithsej 104 ndeshje, ka përfunduar me Spanjën që u shpall kampione e botës në stadiumin “MetLife” në East Rutherford të New Jerseyt.

Pas mbylljes së turneut, Transfermarkt ka përditësuar vlerat në treg të 99 futbollistëve që spikatën gjatë Botërorit, duke shpërblyer paraqitjet e tyre dhe zhvillimet e fundit në merkato.

Ashtu si zakonisht pas turneve të mëdha, nuk ka pasur ulje të vlerave, por vetëm rritje për lojtarët që kanë lënë gjurmë.

Në krye të listës tashmë qëndrojnë Erling Haaland dhe Lamine Yamal, të cilët ndajnë statusin e futbollistëve më të vlefshëm në botë, me një vlerë tregu prej 220 milionë eurosh secili.

Haaland ngjitet në krye

Sulmuesi i Manchester Cityt ishte një nga protagonistët kryesorë të Botërorit, duke udhëhequr Norvegjinë deri në çerekfinale, ku u eliminua nga Anglia.

25-vjeçari realizoi shtatë gola dhe një asistim në pesë ndeshje, ndërsa tashmë ka shënuar plot 62 gola në 52 paraqitje me kombëtaren norvegjeze, një mesatare prej 1.13 golash për ndeshje.

Përveç paraqitjeve në fushë, popullariteti i Haalandit është rritur ndjeshëm edhe jashtë saj, duke kaluar shifrën e 28 milionë ndjekësve në rrjetet sociale. Si rezultat, Transfermarkt e ka ngritur vlerën e tij në 220 milionë euro.

Yamal konfirmon statusin e supertalentit

Me të njëjtën vlerë prej 220 milionë eurosh renditet edhe Lamine Yamal.

Edhe pse në Botëror shënoi vetëm një gol dhe regjistroi një asistim në tetë ndeshje, 19-vjeçari konfirmoi edhe një herë potencialin e jashtëzakonshëm, duke shtuar titullin e kampionit të botës në trofetë e tij, pas triumfit në Kampionatin Evropian.

“Yamal ka konfirmuar se është talenti më i madh në futbollin botëror. Në këtë moshë ai ka më shumë përvojë dhe suksese sesa kishte Lionel Messi”, deklaroi koordinatori i vlerave të tregut në Transfermarkt, Tobias Kröger.

Paraqitjet e tij e kanë bërë gjithashtu favorit për ta fituar Topin e Artë.

Mbappe mbetet në podium

Edhe pse nuk është më futbollisti më i vlefshëm në botë, Kylian Mbappe ka regjistruar gjithashtu rritje të vlerës së tij, duke arritur në 200 milionë euro.

Sulmuesi francez realizoi 10 gola dhe dy asistime gjatë Botërorit, duke fituar “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i turneut.

Me këtë sukses, Mbappe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Kampionateve Botërore, duke lënë pas Lionel Messin dhe Miroslav Klosen.

Katër futbollistë të tjerë kalojnë vlerën e 100 milionë eurove

Katër lojtarë të tjerë iu bashkuan klubit të futbollistëve me vlerë mbi 100 milionë euro.

Mes tyre është mbrojtësi spanjoll Pau Cubarsi, i cili pas rritjes prej 20 milionë eurosh vlerësohet tashmë me 100 milionë euro dhe ndan statusin e mbrojtësit qendror më të vlefshëm në botë me William Saliban.

Në këtë listë hyn edhe Enzo Fernandez i Argjentinës, i cili arriti vlerën prej 100 milionë eurosh, pavarësisht kartonit të kuq në finalen ndaj Spanjës.

Dy anglezë, Elliot Anderson dhe Morgan Rogers, tashmë vlerësohen me nga 110 milionë euro. Rritja e tyre lidhet edhe me transferimet e bujshme të kësaj vere, ku Anderson kaloi te Manchester City për 135 milionë euro, ndërsa Rogers u transferua te Chelsea për 137 milionë euro.

Vozinha, historia më e veçantë e Botërorit

Rritjen më të madhe në përqindje e ka regjistruar portieri i Kombëtares së Kepit të Gjelbër, Vozinha.

Edhe pse 40-vjeçar dhe pa asnjë transferim me pagesë gjatë karrierës, vlera e tij në treg është rritur nga vetëm 50 mijë euro në 500 mijë euro.

Sipas Transfermarkt, paraqitja spektakolare kundër Spanjës dhe popullariteti i fituar në rrjetet sociale kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë rritje, duke e bërë një nga pesë portierët mbi 40 vjeç me vlerën më të lartë në botë.

Talente të tjera që rritën ndjeshëm vlerën

Ndër fituesit më të mëdhenj pas Botërorit janë edhe mbrojtësi kanadez Luc De Fougerolles, i cili e rriti vlerën me 400 për qind dhe tashmë vlerësohet me pesë milionë euro.

Amerikani Alex Freeman regjistroi një rritje prej 185.7 për qind, duke arritur vlerën e 10 milionë eurove, ndërsa talenti meksikan Gilberto Mora e ngriti vlerën nga 10 në 25 milionë euro.

Një tjetër emër që tërhoqi vëmendjen është mbrojtësi australian Lucas Herrington. 18-vjeçari, i cili aktivizohet te Colorado Rapids në MLS dhe së fundmi ka marrë pasaportë gjermane, e ka rritur vlerën e tij nga 4.5 në tetë milionë euro, duke u konsideruar një nga talentët më premtues për një transferim në futbollin evropian./Arbresh.info