Arrestohen tetë persona me urdhëresa të gjykatës në Gjakovë

13:48 | 22 Korrik 2026
E H

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 14–22 korrik 2026, Stacioni Policor në Gjakovë ka arrestuar tetë persona të kërkuar me urdhëresa të lëshuara nga gjykatat kompetente.

Sipas policisë, katër prej tyre janë dërguar në vuajtje të dënimit me burg. F.Sh. është dërguar për të vuajtur dënimin prej dy vitesh burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërkaq, S.Gj. është dërguar në vuajtje të dënimit prej tre muajsh burgim për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa K.I. do të vuajë 15 ditë burgim për veprën penale që lidhet me narkotikët.

Po ashtu, L.A. është dërguar në vuajtje të dënimit prej 43 ditësh burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Policia bëri të ditur se katër persona të tjerë, të cilët ishin gjithashtu në kërkim, pas arrestimit kanë kryer pagesën e gjobave sipas vendimeve të gjykatës dhe më pas janë liruar.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë theksoi se do të vazhdojë angazhimin për ekzekutimin e urdhër-arresteve dhe letër-rreshtimeve, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë./Arbresh.info