Policia informon qytetarët për përdorimin e Raportit Evropian të Aksidenteve

14:11 | 21 Korrik 2026
E H

Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka vazhduar zbatimin e fushatës sensibilizuese në fushën e sigurisë në komunikacionin rrugor, me fokus promovimin e përdorimit të Raportit Evropian të Aksidenteve.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në kuadër të kësaj fushate, zyrtarët policorë të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë kanë shpërndarë fletushka informuese për qytetarët, me qëllim që t’i informojnë për rëndësinë dhe mënyrën e përdorimit të këtij raporti në rastet e aksidenteve në komunikacion.

Gjatë takimeve me qytetarët, policët kanë shpjeguar rastet kur mund të përdoret Raporti Evropian i Aksidenteve, procedurat për plotësimin e tij, si dhe përfitimet që sjell përdorimi i këtij dokumenti në trajtimin e aksidenteve të lehta.

Policia ka bërë të ditur se aktivitetet sensibilizuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve për të drejtat dhe obligimet e tyre ligjore, si dhe avancimin e sigurisë në komunikacionin rrugor.

Sipas Policisë së Kosovës, këto aktivitete janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për promovimin e kulturës së sigurisë në trafik dhe lehtësimin e procedurave në rastet e aksidenteve të lehta./Arbresh.info