Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj gjashtë personave në Pejë: Dyshohen për grup kriminal, planifikim vrasjesh dhe zjarrvënie

19:26 | 17 Korrik 2026
E.G

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, lidhur me disa vepra të tjera penale.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se aktakuza lidhet me veprat penale “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Sipas aktakuzës, të pandehurit, gjatë periudhës korrik 2024 – janar 2025 në Pejë, kanë vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, i cili dyshohet se ka planifikuar vrasjen e një personi dhe plagosjen ose vrasjen e dy personave të tjerë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se të pandehurit akuzohen edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, zjarrvënie në pronën e një të dëmtuari, si dhe për presion, detyrim dhe kërcënime ndaj personave të ndryshëm.

“Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, kanë kryer zjarrvënie në pronën e një të dëmtuari, si dhe kanë ushtruar presion, detyrim dhe kërcënime ndaj personave të ndryshëm me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës mbajtjen e gjykimit në mungesë ndaj A.H., i cili ndodhet në arrati, vazhdimin e paraburgimit ndaj M.D. dhe L.D., si dhe konfiskimin e armëve dhe municionit të sekuestruar.

Shpërndaje në rrjete sociale