Pamje brenda takimit Kurti-Hamza, i pranishëm edhe Hekuran Murati

14:56 | 10 Korrik 2026
E H

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Takimi është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, ndërsa pas përfundimit të tij Kurti e ka cilësuar diskutimin si konstruktiv, edhe pse, sipas tij, nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.

“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vazhdojë të mbizotërojë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka folur edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke thënë se përgjegjësia për këtë proces u takon të gjitha partive politike.

Sipas Kurtit, Kosova ka nevojë për një figurë konsensuale për këtë pozitë, e cila nuk duhet të jetë pjesë e ndonjë partie politike dhe që duhet të përfaqësojë unitetin, duke pasur vlera të dëshmuara kombëtare dhe profesionale.

Në kuadër të konsultimeve me partitë politike, Kurti pritet të takohet gjatë ditës edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku./Arbresh.info