Vendosen kufizime të përkohshme për kamionët mbi 20 tonë gjatë temperaturave të larta

15:57 | 8 Korrik 2026
H.E

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se është marrë vendimi për vendosjen e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

Basha theksoi se masa synon mbrojtjen e infrastrukturës rrugore nga dëmtimet e shkaktuara nga temperaturat e larta, si dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.

Sipas vendimit, në autoudhë kufizimi i qarkullimit do të hyjë në fuqi në ditët kur parashikohet temperaturë maksimale prej 32°C ose më e lartë, në intervalin kohor nga ora 11:00 deri në 17:30.

Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, kufizimi do të zbatohet në ditët kur temperatura maksimale e parashikuar arrin 35°C ose më shumë, po ashtu nga ora 11:00 deri në 17:30.

Basha bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të publikojë çdo ditë, pas orës 16:00, njoftimin zyrtar nëse kufizimet do të zbatohen ose jo për ditën pasuese. Njoftimi do të bazohet në parashikimin më të fundit të Institutit Meteorologjik të Kosovës.

Sipas ministrit, vendimi ka për qëllim mbrojtjen e rrugëve nga dëmtimet që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe ngarkesat e rënda, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale