Kroacia e pafuqishme ndaj Anglisë, “Tre Luanët” e nisin me fitore Kupën e Botës

00:00 | 18 Qershor 2026
D.H

Anglia e ka nisur Botërorin me fitore ndaj Kroacisë me rezultat 4-2, në kuadër të grupit L.

Anglezët e nisën takimin më mirë duke fituar penallti në minutën e 12-të, shkruan Arbresh.info.

Fillimisht nga tentimi i parë gaboi Harry Kane, por një dalje e Livakovicit nga tërësisht nga vija e portës bëri që penalltia të përsëritej.

Në tentativën e dytë, Kane nuk gaboi më dhe i dhuroi epërsinë fillestare “Tre Luanëve”.

Pas golit të pësuar, Kroacia tentoi barazimin, dhe e gjeti me një eurogol të Baturinës në minutën e 36-të.

Por baraspesha nuk zgjati shumë. Në minutën e 42-të, Kane shënoi sërish për 2:1, pas një harkimi të mirë të Ricet nga goditja nga këndi.

Ndërkohë në çastet e fundit të pjesës së parë, Kroacia barazoi sërish në 2:2 me golin e Musas.

Me të nisur pjesa e dytë, Jude Bellingham riktheu Anglinë për herë të tretë në këtë mbrëmje, për 3:2.

Anglia vazhdoi sulmet dhe rrezikoi përmes Kanet, por Livakovic ishte në vend.

Kur, Kroacia mori iniciativën për të gjetur golin e barazimit, Anglia me një kundërsulm të shpejtë i dha goditjen e fundit kroatëve.

Marcus Rashford në minutën e 85-të, shënoi golin e katërt, dhe i dha vulën fitores së “Tre Luanëve”.

Me këtë fitore Anglia merr primatin e grupit. Takimin e radhës anglezët e luajnë ndaj Ganës, kurse Kroacia do të ketë punë me Panaman./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale