Svanberg i Suedisë hyn në histori të Kupës së Botës pas golit të shënuar me Tunizinë

21:34 | 15 Qershor 2026
D.H

Mesfushori i Suedisë, Mattias Svanberg, ka hyrë në historinë e Kampionateve Botërore gjatë fitores 5-1 ndaj Tunizisë.

Futbollisti i Wolfsburgut realizoi vetëm 17 sekonda pasi u aktivizua nga stoli, duke regjistruar golin e dytë më të shpejtë të shënuar ndonjëherë nga një zëvendësues në historinë e Botërorëve.

Svanberg hyri në fushë në minutën 83:13 dhe vetëm 17 sekonda më vonë, në minutën 83:30, dërgoi topin në rrjetë për golin e katërt të Suedisë.

Goli fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit nga VAR-i vendimi u korrigjua. Topi preku Alexander Isak para se të shkonte te Svanberg, duke krijuar një fazë të re loje dhe duke e bërë golin të rregullt.

Vetëm uruguaiani Richard Morales ka shënuar më shpejt si zëvendësues në një Botëror. Sulmuesi i Uruguait realizoi pas vetëm 16 sekondash kundër Senegalit në Botërorin e vitit 2002.

Pesëshja e parë e këtij rekordi historik plotësohet nga Ebbe Sand (21 sekonda), Marcin Żewłakow (59 sekonda) dhe Randal Kolo Muani (65 sekonda).

Ky gol ka një domethënie të veçantë për Svanbergin, i cili kaloi një sezon të vështirë me Wolfsburgun, duke përjetuar rënien nga Bundesliga. /Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale