Kusari-Lila: Fuqizimi ekonomik i grave është investim në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë sonë

18:43 | 4 Qershor 2026
E.G

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar nga afër biznesin “Zana Bakalli Couture”, së bashku me kandidatët për deputetë Skender Thaçi dhe Nita Gashi, ku janë njohur me punën dhe rrugëtimin e ndërmarrëses Zana Bakalli në tregun vendor të modës.

Gjatë vizitës, Kusari-Lila vlerësoi kontributin e bizneseve që promovojnë talentin dhe dizajnin vendor, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për ndërmarrësit, veçanërisht gratë sipërmarrëse, shkruan Arbresh.info.

“Kreativiteti, përkushtimi dhe guximi për të ndërtuar një biznes të suksesshëm janë vlera që meritojnë mbështetje të vazhdueshme.
Me kandidatët për deputetë Skender Thaçi dhe Nita Gashi pamë nga afër kreacionet e Zana Bakalli Couture. U njohëm me punën dhe rrugëtimin e saj, një ndërmarrëse e cila prej vitesh sjell në tregun vendor veshje unike, të punuara me shumë pasion dhe profesionalizëm.”, ka shkruar Kusari Lila.

“Biznese të tilla jo vetëm që promovojnë talentin dhe dizajnin vendor, por krijojnë edhe mundësi të reja ekonomike dhe frymëzojnë vajza e gra të tjera që të ndjekin ëndrrat e tyre në botën e ndërmarrësisë. Fuqizimi ekonomik i grave është investim në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë sonë. Uruam Zanën për punën, përkushtimin dhe sukseset e deritanishme, me dëshirën që marka e saj të vazhdojë të rritet e të shtrihet edhe më tej në tregjet rajonale e ndërkombëtare.”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi se mbështetja institucionale për biznese të tilla mbetet prioritet, duke nënvizuar rolin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe në promovimin e potencialit kreativ të vendit./Arbresh.info