Trump: Jemi mes marrëveshjes me Iranin dhe luftës

07:18 | 21 Maj 2026
E.H

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-ja dhe Irani ndodhen në një moment kritik, mes mundësisë për një marrëveshje diplomatike dhe rikthimit të konfliktit ushtarak.

Duke folur para gazetarëve, Trump u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin, por paralajmëroi se gjithçka varet nga përgjigjja që do të japë pala iraniane në ditët në vijim.

“Jemi pikërisht në vijën ndarëse midis arritjes së një marrëveshjeje dhe rifillimit të luftës”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan theksoi se SHBA-të do të presin edhe “disa ditë të tjera” për të parë nëse diplomacia do të japë rezultat, ndërsa kërkoi një përgjigje “100% të saktë” nga Irani.

“Nëse nuk marrim përgjigjen e duhur, zhvillimet mund të ndodhin shumë shpejt”, tha Trump, duke lënë të kuptohet se opsionet ushtarake mbeten ende në tavolinë.

Ai shtoi se shpreson në një marrëveshje që do të ishte “e mirë për të gjithë”, duke nënvizuar se çdo vonesë që shmang humbjen e jetëve njerëzore ia vlen.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur kontaktet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit po vazhdojnë prapa skenave. Në qendër të negociatave mbeten programi bërthamor iranian, heqja e sanksioneve ekonomike dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit.

Shpërndaje në rrjete sociale