MINTI: Rritet mbikëqyrja e tregut dhe trajtimi i ankesave të konsumatorëve, KEDS gjobitet me 40,000 euro për njehsorët

11:51 | 20 Maj 2026
E.H

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku është prezantuar Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030.

Në këtë mbledhje u raportua për aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të fokusuara në monitorimin e çmimeve të derivateve, njehsorëve elektrikë dhe produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.

Po ashtu, u bë e ditur se po vazhdon procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë, prej të cilëve 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi.

Sipas të dhënave zyrtare, raportet e laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj kompanisë KEDS, në vlerë prej 40,000 eurosh.

Në takim u diskutua edhe për përshpejtimin e trajtimit të rasteve dhe mundësitë e kompensimit të dëmeve për konsumatorët.

MINT thekson se gjatë tre muajve të fundit janë ndërmarrë masa proaktive për trajtimin e ankesave të qytetarëve, ndërsa është shënuar rritje prej 35% e numrit të ankesave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si tregues i rritjes së besimit institucional të qytetarëve./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale