Votimi me postë nis të enjten, KQZ del me sqarim për votuesit që po pranojnë njoftime me sms dhe e-mail

21:51 | 19 Maj 2026
E.G

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një sqarim lidhur me votuesit e regjistruar për votim me postë për zgjedhjet e 7 qershorit.

KQZ bën të ditur se ka përgatitur pakon me fletëvotim për secilin votues të regjistruar që gjatë regjistrimit ka përzgjedhur këtë mënyrë votimi dhe se deri tash një numër i madh i tyre janë pranuar nga posta dhe do të dërgohen nëpër adresa ditëve në vijim, shkruan Arbresh.info.

KQZ ka sqaruar votuesit e regjistruar që janë duke pranuar sms ose e-mail nga DHL ku njoftohen se çdo pako ka një kod gjurmimi, përmes së cilit votuesi mund ta përcjellë vendndodhjen e dërgesës.

“Gjithashtu, njoftimi i përcjellë nga operatori ekonomik, u jep mundësi votuesve që të përzgjedhin ta pranojnë dërgesën në adresën e tyre apo ta tërheqin personalisht në pikën më të afërt të DHL”, thuhet në njoftim.

KQZ sot ka marrë vendim që procesi i votimit me postë të fillojë katër ditë më herët se që ka qenë e planifikuar, pra më 21 maj.

“Ky ndryshim i afatit është bërë pas njoftimit nga kontraktori për shërbime postare se kompania DHL dhe shërbimet postare në disa vende europiane nuk do të punojnë më 25 maj 2026 për shkak të një feste zyrtare dhe si pasojë, gjatë periudhës 22 – 26 maj nuk do të ketë shpërndarje dhe pranim të dërgesave”, njofton KQZ./Arbresh.info