Vritet komandanti i Hamasit, në sulmin ajror izraelit në Gaza

18:43 | 16 Maj 2026
Q L

Komandanti i krahut të armatosur të Hamasit, Izz ad-Din al-Haddad, është vrarë në një sulm ajror izraelit në Qytetin e Gazës, pavarësisht armëpushimit që vazhdon mes palëve.

Komandanti i krahut ushtarak të Hamasit, Izz ad-Din al-Haddad, është vrarë pas një sulmi ajror izraelit në qendër të Gaza City. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i Hamasit për BBC-në, ndërsa autoritetet izraelite e kanë cilësuar atë si një nga organizatorët kryesorë të sulmit të 7 tetorit 2023.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministri i mbrojtjes, Israel Katz, deklaruan se Haddad ishte përgjegjës për “vrasjen, rrëmbimin dhe plagosjen e mijëra civilëve izraelitë dhe ushtarëve”, duke e përshkruar atë si “një nga arkitektët e masakrës së 7 tetorit”.

Sipas dëshmitarëve, një ndërtesë banimi e njohur si “Al-Mu’taz” u godit nga disa raketa, duke shkaktuar zjarr të madh dhe vështirësi në evakuimin e të plagosurve. Më pas, një veturë që po largohej nga vendi i ngjarjes u godit, duke lënë të vrarë edhe tre persona të tjerë.

Burime lokale bëjnë të ditur se Haddad dyshohet se ishte në veturën e goditur, pasi ishte plagosur rëndë nga sulmi i parë dhe ishte transportuar nga persona të armatosur.

Sulmi ndodhi në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për paqe në Gaza mbeten të bllokuara, ndërsa Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit. Netanyahu deklaroi se Izraeli do të vazhdojë veprimet ushtarake kundër të gjithë atyre që lidhen me sulmin e 7 tetorit.