Në përvjetorin e zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti, Kurti vizitoi Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe

17:22 | 16 Maj 2026
Q L

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri Andin Hoti, me rastin e përvjetorit të 27-të të zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti, vizitoi Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe.

Duke kujtuar profesorin Hoti dhe veprën e tij, kryeministri në detyrë Kurti tha se ai ishte një mendje jashtëzakonisht e ndritur jo vetëm e shqiptarëve, për shkak se teoritë e tij politike kanë vlerë universale.

“Me shumë pikëllim e dhimbje kujtojmë ditën kur para saktësisht 27 viteve profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, ku po mbahej si rob lufte, ku ishte fillimisht i burgosur politik, vetëm dhe vetëm që më pastaj të zhdukej dhunshëm dhe sot e kësaj dite ne të mos dimë gjë për të”, theksoi ai.

Kurti theksoi se veprat e Ukshin Hotit do të hyjnë në një fazë rileximi pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për botimin e tyre.