Cikloni i fuqishëm godet vendin të shtunën: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi me stuhi, breshër e rrufe, Kosova më pak e prekur

22:52 | 15 Maj 2026
Q L

Një ciklon i fuqishëm nga Italia, i shoqëruar me masa të ftohta me origjinë polare, do të arrijë të shtunën në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Greqi.

Nën këto kushte, fillimisht në orët e para të mëngjesit do të kemi sistemin parafrontal, i cili do të sjellë rrebeshe lokale shiu dhe disa shkarkesa rrufesh, kryesisht të përqendruara në pjesë të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Më pas, rreth mesditës dhe gjatë orëve vijuese të pasditës, do të arrijë fronti i ftohtë, i cili do të karakterizohet me rrebeshe shiu, erëra të forta, breshër dhe shkarkesa rrufesh, disa prej tyre të fuqishme.

Breshëri pritet të paraqitet kryesisht në disa zona të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, ku priten stuhi dhe reshje më intensive, ndërsa në Kosovë ato do të jenë më të pakta dhe me gjasa më të ulëta për breshër.

Temperaturat maksimale do të lëvizin prej 16 deri në 23°C në rajon, ndërsa në Kosovë do të lëvizin prej 15 deri në 20°C. Pas kalimit të frontit, temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme.

Të dielën, në Kosovë do të vijojë moti me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurtra me diell, ndërsa në disa rajone priten rrebeshe të izoluara shiu. Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, ku maksimalet do të lëvizin nga 10 deri në 16°C.

Në Shqipëri pritet mot me diell dhe vranësira, ndërsa lokalisht mund të ketë rrebeshe shiu dhe ndonjë shkarkesë elektrike. Temperaturat maksimale do të lëvizin prej 16 deri në 21°C. /MeteoKosova/

 

Shpërndaje në rrjete sociale