Hysni Mehani lirohet nga spitali pas sulmit në Skenderaj

11:37 | 15 Maj 2026
E.K

Pas trajtimit mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, është liruar për në shtëpi. Lajmi është konfirmuar nga zyra për media e spitalit, e cila ka bërë të ditur se ai është liruar pas monitorimit mjekësor.

Ngjarja ka ndodhur të enjten në një kafiteri në qendër të Skenderajt, ku Mehani dyshohet se është sulmuar fizikisht dhe ka pësuar lëndime.

Në lidhje me rastin, Policia ka ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar me inicialet E.L. dhe B.N., nën dyshimin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Sipas Prokurorisë, janë intervistuar edhe viktimat H.M. dhe B.Z., si dhe pesë dëshmitarë të rastit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.