Sulm masiv rus ndaj Ukrainës, të paktën pesë të vrarë

15:38 | 14 Maj 2026
E.G

Autoritetet ukrainase njoftuan se të paktën pesë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të natës nga Rusia.

Në Kiev, tre viktima u nxorën nga rrënojat e një ndërtese banimi të goditur nga raketat, ndërsa një vajzë 12-vjeçare dhe një burrë tjetër humbën jetën në sulme të ndara.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, pasi më shumë se dhjetë persona konsiderohen ende të zhdukur.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia lëshoi mbi 670 dronë dhe 56 raketa kundër Ukrainës, duke goditur mbi 180 objektiva dhe duke dëmtuar më shumë se 50 ndërtesa banimi.
Sipas tij, sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore arritën të rrëzojnë rreth 93% të objektivave ajrore.

Zelensky kërkoi nga aleatët ndërkombëtarë që të vazhdojnë presionin dhe sanksionet ndaj Moskës.
Sulmet prekën edhe rajonet e Kharkivit, Odesës, Sumyt dhe Kremenchukut.

Kryeministrja ukrainase theksoi se vendi ka nevojë urgjente për forcimin e mbrojtjes ajrore “për të shpëtuar njerëzit dhe Qytetet”. Ministri i Jashtëm ukrainas akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për “agresion dhe terror”, duke kërkuar që SHBA-ja dhe Kina të ushtrojnë më shumë presion ndaj Kremlinit për t’i dhënë fund luftës.

Sulmet vijnë vetëm pak ditë pas përfundimit të armëpushimit treditor të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër në Kiev, një gjykatë urdhëroi paraburgimin 60-ditor të ish-bashkëpunëtorit të afërt të Zelenskyt, Andriy Yermak, i dyshuar për përfshirje në një skandal pastrimi parash. Ai i ka mohuar akuzat dhe ka paralajmëruar apelim.

 

Shpërndaje në rrjete sociale