Thaçi: Ka ardhur koha që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët

13:35 | 8 Maj 2026
E.K

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë të publikuar nga gazetari Blendi Fevziu, është pyetur për çështjen e bashkëpunimeve politike dhe zgjedhjen e presidentit.

Fillimisht, i pyetur për mundësinë e bashkimit të opozitës për formimin e qeverisë, Thaçi është përgjigjur shkurt: “Nuk kam koment”.

Ndërsa në një pyetje tjetër për bashkëpunimin mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e presidentit, ai ka theksuar nevojën për konsensus të gjerë politik.

“Do të duhej të ndodhë një konsensus sa më i gjerë politik. Shoqëria jonë ka plot gra dhe burra të çmuar me dinjitet dhe integritet. Mendoj që ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përndryshe vazhdimisht do të ketë kriza qeveritare. Kërkohen ndryshime kushtetuese, patjetër duhet të pajtohen edhe komunitetet. Kosova dhe Shqipëria janë vendet e fundit në rajon që presidentin e zgjedhin nga parlamenti”, u tha ai.

Kosova pritet të mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme më 7 qershor, pasi vendi dështoi të zgjedhë presidentin.

Shpërndaje në rrjete sociale