Mblidhet Kryesia e PDK-së, merren vendime për fushatën dhe organizimin zgjedhor

18:34 | 6 Maj 2026
E.G

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, me fokus të veçantë në përgatitjet për Zgjedhjet e Përgjithshme të 7 qershorit.

Në këtë mbledhje, Hamza shprehu mirënjohje edhe për deputetin e deritanishëm, Ferat Shala, i cili ka vendosur të mos jetë më pjesë e garës zgjedhore, duke vlerësuar lart kontributin e tij shumëvjeçar për PDK-në dhe institucionet e vendit.

“Z. Shala do të vazhdojë të japë kontributin e tij si pjesë e strukturave drejtuese dhe si anëtar i Kryesisë së PDK-së.”, thuhet në njoftim.

Në këtë mbledhje u diskutua gjithashtu për mobilizimin e plotë të të gjitha strukturave të partisë për regjistrimin e votuesve dhe përkrahësve të PDK-së në mërgatë.

Po ashtu, Kryesia vendosi unanimisht që ish-kryetari Memli Krasniqi ta udhëheqë shtabin zgjedhor dhe fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e hapur dhe mirëpret të gjitha personalitetet që dëshirojnë të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë. Partia Demokratike e Kosovës hyn në këtë proces zgjedhor me vizion të qartë, me ekip të përgatitur dhe me besimin se do t’i japë Kosovës drejtimin që meriton.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PDK-së./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale