Liria ka emër: Shtyrja e aktgjykimit në Hagë është zgjatje e padrejtësisë

13:21 | 6 Maj 2026
E.H

Organizata “Liria ka emër” e konsideron tërësisht të papranueshme shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Përmes një reagimi nga kjo organizatë thonë se kjo praktikë e vazhdueshme e vonesave të paarsyeshme nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si një degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm.

“Ky proces që po zvarritet për vite të tëra, me shtyrje të përsëritura, e ka humbur tërësisht kredibilitetin dhe është shndërruar tashmë në një mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme.

Mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së për gati gjashtë vite në paraburgim bie ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut.

“Liria ka emër” vlerëson se këto zhvillime po e dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar perceptimin e një procesi të zvarritur, të pabalancuar dhe të papërgjegjshëm.

“Liria ka emër” paralajmëron se çdo shtyrje e mëtejshme në këtë proces gjyqësor në Gjykatën Speciale, këtë institucion vetëm sa e largojnë edhe më shumë nga standardet e drejtësisë, duke e shndërruar në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare.

LEXO EDHE:

Specialja: 20 korriku nuk është data kur shpallet aktgjykimi për Thaçin dhe tjerët, afati është zgjatur deri atëherë

Shpërndaje në rrjete sociale