Casemiro e mbështet Neymarin: Nëse është në formë fizike, ai duhet të jetë në skuadër për Botëror

11:05 | 5 Maj 2026
D.H

Mesfushori i Manchester United, Casemiro, ka dalë hapur në mbështetje të bashkëkombasit të tij Neymar, duke kërkuar që sulmuesi të jetë pjesë e Brazilit për Kupën e Botës 2026, nëse arrin formën e duhur fizike.

Braziliani 34-vjeçar, i cili aktualisht është pjesë e Santosit, po rikuperohet nga një periudhë e gjatë lëndimesh dhe nuk ka luajtur për kombëtaren që nga viti 2023.

Pavarësisht kësaj, trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Neymar të jetë pjesë e listës finale për Kupën e Botës.

Në një deklaratë për ESPN, Casemiro tha se Neymar mbetet një lojtar kyç për Brazilin, edhe nëse nuk është në rolin e titullarit.

“Neymar nuk ka nevojë të provojë asgjë. Ai gjithmonë ka qenë lojtar që do të argëtohet në fushë dhe ta shijojë futbollin,” u shpreh Casemiro.

Ai shtoi se Neymar mund të pranojë çdo rol që i jepet në kombëtare, qoftë edhe si zëvendësues, vetëm për të qenë pjesë e Botërorit.

“Edhe nëse i thuhet që nuk do të luajë gjithmonë si titullar, ai do të donte të ishte aty, sepse ëndrra e tij është Botërori,” theksoi ai.

Sipas Casemiros, çelësi kryesor për Neymarin është gjendja fizike, jo talenti i tij.

“Nëse është në formë fizike, nuk ka diskutim. Ai duhet të jetë në skuadër. Në talent nuk ka dyshime, është një nga më të mirët në botë,” tha mesfushori i Unitedit.

Ai gjithashtu vlerësoi trajnerin Ancelotti, duke thënë se është personi i duhur për të menaxhuar situata të tilla në një skuadër me yje të mëdhenj.

“Nuk ka trajner më të mirë për të menaxhuar këtë situatë. Çdo vendim do të merret për të mirën e ekipit,” shtoi Casemiro.

Edhe pse talenti i Neymarit nuk vihet në dyshim, shqetësimi kryesor i stafit të Brazilit mbetet qëndrueshmëria e tij fizike pas shumë lëndimeve serioze.

Trajneri i Santosit, Cuca, së fundmi ka deklaruar se Neymar po përmirësohet gradualisht dhe po rikthehet në formë.

Vendimi final për përfshirjen e tij në Botërorin 2026 pritet të merret më 18 maj, kur Brazili do të shpallë listën përfundimtare të skuadrës./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale