LDK: S’ka marrëveshje me PDK-në apo parti të tjera në Prishtinë për bashkëqeverisje

10:15 | 5 Maj 2026
E.K

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mohuar çdo pretendim për marrëveshje politike me Partinë Demokratike të Kosovës apo ndonjë subjekt tjetër politik në Prishtinë për bashkëqeverisje.

Në një komunikatë për media, LDK ka bërë të ditur se nuk ka qenë pjesë e asnjë procesi ndërpartiak për arritjen e ndonjë marrëveshjeje qeverisëse deri më tani, duke theksuar se strukturat e saj zyrtare nuk kanë qenë të përfshira në asnjë vendimmarrje të tillë.

“LDK ka strukturat e veta partiake dhe organet vendimmarrëse lokale e qendrore, dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse,” thuhet në reagim.

Tutje, partia thekson se çdo marrëveshje që nuk kalon nëpër strukturat zyrtare nuk përfaqëson qëndrimin e saj dhe nuk krijon obligime politike për LDK-në.

“Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj,” thuhet më tej.