Guardiola: Kjo pikë është më mirë se humbja, por titulli nuk është më në dorën tonë

08:56 | 5 Maj 2026
D.H

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka deklaruar se skuadra e tij nuk do të dorëzohet në garën për titull, pavarësisht barazimit dramatik 3-3 ndaj Evertonit.

“Qytetarët” ishin shumë pranë humbjes në stadiumin Hill Dickinson, pasi pësuan tre gola brenda 13 minutave në pjesën e dytë. Megjithatë, në minutën e 97-të, Jérémy Doku realizoi golin e barazimit, duke shpëtuar një pikë për Cityn.

Guardiola vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij dhe shpirtin luftarak që treguan lojtarët për të rikthyer rezultatin.

“Bëmë një paraqitje shumë të mirë. Pjesa e parë ishte e jashtëzakonshme. Ishte shumë e vështirë për shkak të forcës fizike të tyre,” u shpreh ai për Sky Sports.

Ai pranoi se në pjesën e dytë Evertoni u përmirësua dhe i vuri në vështirësi kampionët në fuqi.

“Në pjesën e dytë ata u rritën, ne humbëm pak kontrollin dhe pranuam golin. Pas kësaj loja u bë tipike angleze, shumë agresive në duele. Megjithatë, në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë,” shtoi Guardiola.

Ky barazim i jep avantazh Arsenalit në garën për titull, ndërsa City tani nuk e ka më fatin në duart e veta.

“Nuk është më në dorën tonë. Më parë ishte, tani jo. Duhet të bëjmë maksimumin në katër ndeshjet e mbetura në Premier League dhe të shohim çfarë ndodh,” theksoi ai.

Guardiola gjithashtu lavdëroi Evertonin për paraqitjen.

“Ndeshjet në transfertë ndaj Evertonit janë gjithmonë të vështira. I jap merita për qetësinë dhe agresivitetin e tyre. Kjo pikë është më mirë se humbja. Ne luajtëm për fitore dhe treguam karakter,” përfundoi trajneri spanjoll./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale