Jetë të humbura nga aksidentet- Ekspertët kërkojnë të rishikohen ndryshimet e vitit 2023 në Kodin Rrugor: S‘mjafton gjoba e dyfishtë

19:58 | 4 Maj 2026
E.G

Një këmbanë alarmi e konsiderojnë ekspertët e sigurisë rrugore aksidentin tragjik në Durrës, që u mori jetën dy fëmijëve të mitur.

Për ekspertin, Islam Qibini duhet të rishikohen ndryshimet e bëra në vitin 2023 në Kodin Rrugor, ku në rast se shkelen rregullat e qarkullimit, shoferëve nuk u hiqet patenta nëse pranojnë të paguajnë dyfishin e gjobës.

“Është një kambanë alarmi për të gjitha organet që kanë detyrime për zbatimin e legjislacionit rrugor. Në këto dy-tre vitet e fundit kemi një kategori të caktuar drejtuesish mjetesh, të cilët i shpërfillin dukshëm rregullat e qarkullimit rrugor. Pavarësisht shkeljeve të rënda, me ndryshimet e reja që janë bërë në vitin 2023, policia rrugore është e kushtëzuar, pra e detyruar që të mos pezullojë lejen e drejtimit, por qytetarit i lind e drejta të paguajë dyfishin e gjobës”, tha eksperti.

Ndërsa komenton për aksidentin, Qibini thekson nevojën për më një vëzhgim më të madh të policisë në ndalimin e drejtuesve të mjeteve.

“Punonjësi i policisë rrugore, i cili monitoron një segment rrugor, në rast se konstaton, për shembull, një parakalim të gabuar, një shpejtësi dyfishin e asaj që është e lejuar, ose lëvizje të çorientuara, atëherë ky drejtues mjeti bëhet objekt i punës së policisë rrugore. Ai duhet të ndalohet dhe të ndëshkohet nga punonjësit e policisë rrugore. Ka ardhur koha që, si në çdo vend të Bashkimit Europian, të bëhet testi psikologjik, pra testi që vlerëson sa i aftë është mendërisht një drejtues mjeti, i njohur si testi MPU”, nënvizon ai.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për respektim të rregullave në qarkullim, një tjetër aksident rrugor me pasojë vdekjen e një qytetari u shënua të hënën.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale