Vetura futet në turmën e njerëzve në Gjermani, dy të vdekur e mbi 20 të lënduar

19:32 | 4 Maj 2026
E.G

Dy njerëz kanë mbetur të vdekur dhe mbi 20 të tjerë u lënduan, pasi një veturë u fut në turmën e njerëzve në qytetin lindor gjerman, Leipzig, të hënën pasdite, raporton BBC.

Kryetari i Leipzigut, Burkhard Jung, ka deklaruar se autori i dyshuar është kapur dhe se autoritetet ende nuk e kanë të qartë motivin.

Komandanti i zjarrfikësve në Leipzig, Alex Schuh, tha se 22 persona janë lënduar, dy prej tyre rëndë.

Rreth 40 zjarrfikës dhe 40 pjesëtarë të ekipeve mjekësore ndodhen në vendin e ngjarjes, bashkë me dy helikopterë.

Policia ka konfirmuar se një veturë ka goditur disa njerëz në zonë e Rrugës “Grimmaische”, para se të largohej.

Sipas Policisë, vozitësi është arrestuar “dhe tani për tani nuk ka rrezik të mëtejmë që vjen prej tij”.

Rreth orës 17:35, Radio Leipzigu raportoi se policia tha se rreziku kishte përfunduar dhe se zona rreth sheshit ishte izoluar.