Kriza politike dhe zgjedhjet e reja rrisin pasigurinë ekonomike në Kosovë

12:18 | 2 Maj 2026
R J

Kriza politike në vend dhe mundësia e zgjedhjeve të reja po rrisin pasigurinë ekonomike në Kosovë, duke vënë në rrezik stabilitetin e bizneseve dhe ritmin e zhvillimit ekonomik.

Kjo u theksua në takimin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) me përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Kryetari i Bordit, Skender Krasniqi, dhe Kryetari i Kuvendit të DHTIK-së, Hamdi Malushaj, theksuan se pavarësisht sfidave të shumta që kanë shoqëruar vendin që nga fillimi i vitit të kaluar, Dhoma ka mbetur aktive në adresimin e problematikave dhe sukseseve të sektorit privat.

Drejtori Ekzekutiv, Kushtrim Ahmeti, vuri theksin te ndikimi i drejtpërdrejtë që ciklet e shpeshta zgjedhore po kanë në ekonomi.

“Çdo proces i ri zgjedhor nënkupton muaj të tërë të humbur në vendimmarrje dhe projekte zhvillimore. Kjo po u kushton bizneseve me vonesa, humbje financiare dhe pasiguri serioze për investimet e ardhshme. Ekonomia nuk mund të funksionojë në pritje të vazhdueshme të cikleve politike – ajo ka nevojë për stabilitet të menjëhershëm,” u shpreh Ahmeti.

Në takim, përfaqësues të bizneseve ngritën një sërë shqetësimesh, përfshirë rritjen e kostove të prodhimit, varësinë e lartë nga importet, mungesën e mbështetjes institucionale dhe vonesat në vendimmarrje.

Ata vlerësuan rolin e DHTIK-së si zë përfaqësues i sektorit privat, duke theksuar angazhimin e saj në lobim për politika lehtësuese dhe në lehtësimin e komunikimit mes institucioneve dhe bizneseve.

Takimi po ashtu nënvizoi se stabiliteti politik mbetet kusht kyç për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, ndërsa u theksua nevoja për vendimmarrje më të shpejtë dhe më efektive.

Pjesëmarrësit u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë, me synim adresimin më të shpejtë të sfidave dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit të biznesit në një periudhë të ndjeshme ekonomike.