Trafik i rënduar në aksin Tiranë–Elbasan, vonesa dhe vështirësi të mëdha në qarkullimin e mjeteve

16:18 | 1 Maj 2026
Q L

Mesdita e kësaj të premteje është shoqëruar sërish me trafik të rënduar në aksin rrugor Tiranë–Elbasan, duke krijuar vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve. Që nga orët e mesditës, lëvizja është bërë thuajse e pamundur në segmentin nga Tuneli i Krrabës deri në Bradashesh, ku mjetet përparojnë me ritme shumë të ngadalta.

Fluksi i lartë i automjeteve që largohen nga Tirana në drejtim të juglindjes ka shkaktuar radhë të gjata, duke përsëritur një situatë tashmë të zakonshme për fundjavat, veçanërisht gjatë kësaj periudhe kur qytetarët u drejtohen zonave turistike.

Pika më problematike mbetet “Hinka e Bradasheshit”, ku trafiku shpesh arrin deri në bllokim të plotë, duke sjellë vonesa të konsiderueshme dhe irritim tek drejtuesit e mjeteve.

Situata nxjerr edhe një herë në pah mungesën e një zgjidhjeje afatgjatë, si ndërtimi i një bypass-i, për të shmangur ngarkesën në këtë segment kyç rrugor./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale