Haradinaj kritikon qeverinë: Punëtorët përballen me paga të ulëta dhe kosto të lartë jetese

09:29 | 1 Maj 2026
R J

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë për, siç tha ai, përkeqësimin e kushteve të jetesës dhe punës për qytetarët e vendit.

Sipas Haradinajt, qeveritë e përgjegjshme duhet të punojnë për përmirësimin e kushteve të punëtorëve, ndërsa aktualja ka vepruar në drejtim të kundërt.

Ai shtoi se paga minimale është shndërruar më shumë në një formë asistence, ndërsa paga mesatare mezi arrin të mbulojë nevojat bazike të një familjeje.

Reagimi i plotë:

Qeveritë e përgjegjshme punojnë për të përmirësuar kushtet e punëtorëve, ndërsa qeveria në largim ka bërë të kundërtën. Qytetarët sot përballen me paga të ulëta, kosto të lartë jetese dhe standard që mbetet ndër më të ulëtit në rajon.

Paga minimale është kthyer më shumë në formë asistence, ndërsa paga mesatare mezi mbulon nevojat bazike të një familjeje. Në sektorin publik dhe privat, vështirësitë janë të njëjta dhe presioni ekonomik rritet çdo ditë.

Sot, shumë punëtorë kanë humbur shpresën, ndërsa fuqia e re punëtore gjithnjë e më shumë sheh largimin nga vendi si mundësi të vetme për një jetë më të mirë.

Urimi im për të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës në këtë 1 Maj është që të vijnë ditë më të mira, me më shumë dinjitet dhe mundësi në vendin e tyre.