Elezi: KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme, fushata dhe aktivitetet tjera organizohen me afate të shkurtëra kohore

09:56 | 30 Prill 2026
R J

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Në këtë fazë, para shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ është e përqendruar në trajtimin e çështjeve fillestare dhe urgjente që lidhen me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Arbresh.info ka treguar për angazhimin aktual të KQZ-së, derisa janë në pritje të vendimit për shpalljen zyrtare të datës së zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur tashmë fazën përgatitore të procesit zgjedhor, duke u angazhuar në trajtimin e të gjitha çështjeve fillestare dhe urgjente që lidhen me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe të cilat do të miratohen në mbledhjen e parë pas vendimit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Këto përgatitje përfshijnë planifikimin e aktiviteteve zgjedhore, përcaktimin paraprak të afateve kohore, planifikimi i buxhetit si dhe koordinimin me institucionet relevante”, tha Elezi.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se, për shkak se bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme, të gjitha aktivitetet do të zhvillohen në afate më të shkurtra.

“Pasi këto janë zgjedhje të parakohshme, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, organizimi i tyre bëhet me afate të shkurtëra kohore dhe një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore apo përshtatja e tyre sipas nevojës, në pajtim me rrethanat dhe kohën në dispozicion të KQZ-së. Të gjitha afatet e aktiviteteve zgjedhore që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit, do të zhvillohen brenda një kohe të shkurtër. Në këtë drejtim, KQZ do të përcaktojë afatin për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje; afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë; dhe periudhën e fushatës zgjedhore. Po ashtu, KQZ cakton edhe kohën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta. Pjesë e këtij plani është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave”, tha Elezi.

Duke folur për fushatën zgjedhore, ai theksoi se ajo do të jetë më e shkurtër krahasuar me zgjedhjet e rregullta.

“Meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme, periudha e fushatës zgjedhore është më e shkurtër në krahasim me zgjedhjet e rregullta, për shkak të afateve të kufizuara kohore. Në zgjedhjet e fundit të parakohshme, fushata zgjedhore ka zgjatur 11 ditë e 7 orë, ndërkaq për zgjedhjet e radhës, KQZ do të përcaktojë kohëzgjatjen e saj në përputhje me afatin e përgjithshëm kohor në dispozicion të KQZ-së për organizimin e të gjithë procesit zgjedhor”, njoftoi Elezi.

Ndërkohë, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ku është përmendur si datë e preferuar për mbajtjen e zgjedhjeve 7 qershori./Arbresh.info