QKUK realizon me sukses operacionin për heqjen e plumbit nga mushkëria e pacientit 28-vjeçar

11:09 | 29 Prill 2026
E.K

Një ndërhyrje e suksesshme kirurgjikale është realizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një pacient 28-vjeçar është trajtuar pas një dëmtimi të rëndë të pësuar muaj më parë.

Pacienti kishte mbajtur për rreth 10 muaj një plumb të mbetur në lobin e poshtëm të mushkërisë së majtë.

Sipas njoftimit, trupi i huaj është larguar me sukses përmes një ndërhyrjeje moderne minimale invazive, duke përdorur metodën VATS-Uniportal, e cila mundëson operim pa hapje të madhe kirurgjikale, redukton rrezikun e komplikimeve dhe përshpejton rikuperimin.

Mjekët kanë bërë të ditur se ndërhyrja ka rezultuar plotësisht e suksesshme, duke ruajtur funksionin e mushkërisë dhe duke shmangur ndërlikimet e mundshme.