Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me nënë Ferdonijen nga Gjakova, bashkëpunëtore nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës, kanë bërë homazhe pranë monumentit, në Ditën e të Pagjeturve.
Kurti tha se “Kosova ende i kërkon edhe 1565 persona që figurojnë si të pagjetur, derisa i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Serbisë, për të treguar të vërtetën për të zhdukurit.
“Ne i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të bëjë trysni mbi Beogradin zyrtar dhe të zbardhë të vërtetën për të zhdukurit tanë, meqenëse ata e mbajnë përgjegjësinë dhe ata e dinë të vërtetën. Janë edhe 11 varreza masive, përveç atyre pesë, që tashmë janë zbuluar e për të cilat Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar edhe nga vetë ata publikisht se janë 16 varreza masive gjithsej. E vetëm në njërën prej tyre që është zbuluar, në Batajnicë i kemi 744 të pagjetur të zhvarrosur prej atje, ndërsa gjithsej deri tani janë rreth 1 mijë shqiptarë që janë zbuluar në varrezat masive në Serbi”, tha Kurti.
Kreu qeveritar deklaroi se faktori ndërkombëtar, evropian e amerikan duhet t’i bëjnë më shumë trysni Beogradit ashtu që të zbardhet e vërteta e përgjegjësit t të dalin para gjyqit. Ndërkohë ai tha se ndonëse po bëhet punë në gjykimin e tyre, duhet të bëhet edhe më shumë, sepse dëshmitarët, tha ai, po plaken, çka sipas Kurtit e vështirëson përndjekjen dhe sjelljen e kriminelëve serb para drejtësisë.
“Edhe në Kosovë e kemi mundësinë për vite me radhë që të dënohen pasi të gjykohen në mungesë kriminelët e shumtë të luftës, qofshin ata urdhërdhënës apo ekzekutorë, për këtë Prokuroria Speciale e ka përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës, gjithashtu edhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi. Janë duke punuar më shumë e më shpejt se përpara, por unë mendoj që duhet të punojnë edhe më shumë e më shpejtë se ç’po bëhet, meqenëse dëshmitarët po plakën, shumë prej tyre po ndërrojnë jetë dhe në këtë mënyrë vështirësohet përndjekja dhe sjellja para drejtësisë e kriminelëve serb të luftës”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit tha se Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit, po bëjnë përpjekje maksimale për të zbardhur fatin e të zhdukurve.
“Me këtë rast duhet të kujtojmë që i fundit që u varros, ishte djali i vogël 9 vjeçar, Sinan Dauti, nga Prekazi, i cili në pranverën e vitit 1999 ishte i fshehur bashkë me nënën e tij e familjarë të tjerë në bodrumin e shtëpisë së tyre, në Prekaz e në mënyrë mizore atë e përfshiu breshëria e plumbave të forcave të armatosura të Serbisë, që po shtinin mbi gratë e fëmijët. Dhe me atë rast, nëna e tij, nëna heroinë Lumnija, e plagosur, e nxori Sinanin e vogël nga bodrumi e nga Prekazi e ka bartur deri në Klinë të Ulët, e pastaj nga Klina e Ulët e ka çuar në Skenderaj, prej Skenderajt në Mitrovicë, ku nuk e kanë lënë familjen, ku që prej atëherë ai figuronte i zhdukur. Dhe tash së fundmi u gjetën eshtrat e djalit të vogël 9 vjeçar, Sinan Dauti dhe ai prehet i qetë në vendlindjen e tij”, tha Kurti.
Kurti: Dështimi për zgjedhjen e presidentit e dërgon vendin ...
Goditi me grusht kapitenin e ekipit kundërshtar, portieri sp...
Haxhiu fajëson opozitën: Mungesa e tyre prodhon pasoja direk...
Nagavci sërish fton opozitën për pjesëmarrje në seancën për ...
Nis seanca për presidentin, veç VV në sallë
Cakolli: Afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e President...