Zbulohen ambiente për lojëra fati dhe drogë në Milot e Laç, arrestohen tre persona

09:27 | 22 Prill 2026
E.H

Policia e Shtetit ka zbuluar tre ambiente të përshtatura për lojëra fati dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në Milot dhe Laç. Gjatë aksionit janë arrestuar tre persona, një tjetër është proceduar në gjendje të lirë, ndërsa një shtetas është shpallur në kërkim.

Në pranga kanë rënë Shkëlzen Preni (21 vjeç), Dorjan Medha (33 vjeç) dhe Ylli Veseli (45 vjeç), ndërsa në kërkim është shpallur Pjetër Lleshi (31 vjeç).

Gjatë kontrolleve, policia ka konstatuar se në një nga ambientet në Laç, përveç organizimit të lojërave të fatit, zhvillohej edhe aktivitet i shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në vendngjarje është gjetur kokainë e ndarë në doza, gati për shitje.

Ndërkohë, në një ambient tjetër në Milot janë sekuestruar pajisje për lojëra fati, ndërsa një subjekt tjetër rezultoi i pajisur me makina dhe tavolina pokeri, që dyshohet se përdoreshin për veprimtari të kundërligjshme.

Në total, policia ka sekuestruar 15 makineta, 3 tavolina pokeri, sasi kokaine, para të gatshme dhe sende të tjera të paligjshme. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje në rrjete sociale