Kurti për postin e presidentit: Opozita s’i ka votat as për aplikim, s’ia ka dhënë populli

12:59 | 21 Prill 2026
Q L

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se problemi për çështjen e presidentit, është se si opozita me kaq pak numra ka refuzuar ofertën “gjeneroze” të tij. Ai ka thënë se nuk mund t’i japë një post dikujt, që nuk e ka marrë nga populli.

Në një deklaratë për mediat të martën, Kurti ka thënë se zgjedhjet janë të panevojshme dhe se nuk do të sjellin asgjë të re.

“Çka të bëj me rezultatin zgjedhor që mi kanë dhënë 51.1%. Ata nuk i kanë votat as për t’i mbledhur nënshkrimet për një kandidat. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë as të aplikojnë. Për shembull a keni aplikuar për punë ju ndonjëherë? Paramendoje të mos i kesh dokumentet… e po thua a hy në punë, por ti s’i ke as dokumentet të aplikosh. Me ja dhënë atij po thua, por s’ia ka dhënë populli o vëlla, qysh me ia dhënë unë kur s’ia ka dhënë populli”, ka thënë Kurti.

Duke i quajtur gjeneroze ofertat të cilat ua ka ofruar opozitës, ai ka thënë se duhet pyetur ata se si mund t’i refuzojnë ato me numrat që i kanë. Sipas tij, ofrimi i një posti si ai i kryeparlamentarit për PDK-në dhe LDK-në është “koncesion i madh”, teksa ka krahasuar votat e liderëve të këtyre dy partive me deputetët e VV-së.

“Pra me 28 dhjetor i kemi mbajtur zgjedhjet, po atë natë e kemi parë rezultatin, kurrë s’ka qenë më i qartë. Këta 120 deputetë duhet që t’i funksionalizojnë institucionet në plotni, kemi Kuvend, kemi qeveri, duhet të kemi edhe president”, ka thënë ai. “Pranimi rezultatit nënkupton që PDK-ja ta kuptojë që janë 22 deputetë, janë një e treta e mazhorancës dhe duhet ta mirëkuptoni edhe pozitën time të vështirë sepse LVV ka arritur 51.1% të votës popullore dhe ky është një rezultat i paparë dhe prandaj në vitin 2026 duhet të sillemi në përputhje me këtë rezultat”.

Të hënën, edhe takimi i pestë i Kurtit me kryetarin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, për çështjen e presidentit, rezultoi i pasuksesshëm. Kuvendi ka kohë deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri ose automatikisht vendi shkon në zgjedhje të reja.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se i ka refuzuar dy oferta të Albin Kurtit, e para të përfshihet në Qeveri si zëvendëskryeministër dhe LDK-ja t’i ketë 4 ministri, dhe e dyta, që erdhi pas refuzimit të së parës, që posti i kryekuvendarit t’i takojë partisë së Abdixhikut, e nënkryetarin ta marrë Vetëvendosje.

Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues e ka shpallur të mbyllur kontributin e saj në këtë proces. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, refuzoi të takohej me Kurtin ndërsa tha se edhe atij i është ofruar posti i kryeparlamentarit.

Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, më 5 mars, Vjosa Osmani, atëherë presidente, përmes një dekreti pati shpërndarë Kuvendin. Ky vendim ishte mirëpritur nga partitë opozitare. Mirëpo, këtë dekret, me aktgjykimin e 25 marsit, Kushtetuesja e ka shfuqizuar, duke konstatuar se deputetët kanë kohë deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 28 prill. Kalimi i këtij afati, pa zgjidhje nënkupton zgjedhje brenda 45 ditësh.

Në këto rrethana, zgjedhjet mund të mbahen më së largu më 7 qershor.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra, Glauk Konjufcën e Fatmire Mulhaxhën, ndërkaq nuk ka pasur emra të tjerë të përmendur nga partitë opozitare.

Nëse Kosova shkon në zgjedhje, do të jenë të tretat parlamentare brenda më pak se 15 muajve. Dy të tjerat u mbajtën në shkurt dhe dhjetor 2025.

Shpërndaje në rrjete sociale