Serbia përdor marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci si shkas për militarizim

20:51 | 19 Prill 2026
E.G

Marrëveshja trilaterale Kosovë–Shqipëri–Kroaci në fushën e mbrojtjes, edhe pas më shumë se një viti, vazhdon të shfrytëzohet nga Serbia si shkas për militarizimin e ushtrisë serbe. Ministria e Mbrojtjes vë në pah se furnizimi i vazhdueshëm i Serbisë me armatim nga Kina e Rusia nuk arsyetohet me pretendimet për kërcënime nga fqinjët, por shfaq tendenca hegjemoniste ndaj vendeve të rajonit.

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se një vit, marrëveshja trilaterale Kosovë–Shqipëri–Kroaci në fushën e mbrojtjes vazhdon të nxisë reagime kohë pas kohe nga Serbia. Kjo marrëveshje e arritur në mars të vitit të kaluar, nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, edhe më tej përdoret si arsyetim për militarizimin e ushtrisë serbe. Madje ai shkon edhe përtej, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin si shkas për blerje të reja të pajisjeve ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes deklaratat e tilla i sheh si narrativë të përsëritur, me qëllim të shtrembërimit të realitetit të sigurisë në rajon. Marrëveshjet e bashkëpunimit, nënvizon Ministria e Mbrojtjes, synojnë forcimin e stabilitetit dhe avancimin e paqes së qëndrueshme dhe nuk janë të drejtuara kundër askujt.

“Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës i sheh këto deklarime si pjesë të një narrative të përsëritur, e cila synon të paraqesë në mënyrë të shtrembëruar realitetin e sigurisë në rajon. Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet vendeve demokratike të rajonit nuk janë të drejtuara kundër askujt; ato kanë për qëllim forcimin e stabilitetit, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e paqes së qëndrueshme”, ka thënë Liridona Gashi, shefe e kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes.

Tutje Ministria e Mbrojtjes vë në pah se është Serbia ajo që vazhdon të artikulojë pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës, gjë që përbën burim të vazhdueshëm të tensioneve dhe pengesë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Furnizimi i vazhdueshëm i Serbisë me armatim nga Kina e Rusia nuk arsyetohet me pretendimet për kërcënime nga fqinjët, por shfaq tendenca hegjemoniste ndaj vendeve të rajonit”.

Ndërkohë njohësit e çështjeve të sigurisë në vend thonë se Vuçiq e përdor retorikën ndaj Kosovës si mjet propagandistik për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme në Serbi.

“Frika e këtij presidenti, sepse është në rënie të lirë duke pasur parasysh se çfarë problemesh të brendshme ka në atë shtet ku qytetarët e tij dëshirojnë demokracinë, këtë e përdor si pretekst, kinse fqinjët dëshirojnë ta sulmojnë Serbinë, që në asnjë rast nuk është e vërtetë”, thotë Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

Sipas njohësve të sigurisë, furnizimi i vazhdueshëm i Serbisë me armatim dhe retorika hegjemoniste ndaj Kosovës shihen si përpjekje për të rritur ndikimin në vendet e rajonit./rtk