Ambasadorët kërkojnë të respektohet Kushtetuta në zgjedhjen e presidentit

15:45 | 11 Shkurt 2016
M. A.

Ambasadorët kërkojnë që zgjidhja e presidentit dhe proceset tjera politike në vend, të bëhen duke respektuar Kushtetutën e Kosovës. Këtë ia thanë kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili i priti në takime të ndara ambasadorin e Amerikës,Greg Delaëie, atë Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell dhe ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë Jan Braathu. Ky i fundit tha se në asnjë vend të Evropës, një opozitë e përbërë prej 33 deputetëve nuk mund të përcaktojë kohën e zgjedhjeve.

Pas takimeve që kryekuvendari pati me ambasadorët, ai i ShBA-ve nuk doli para gazetarëve, e as vet Kadri Veseli, i cili pastaj përmes një njoftimi për shtyp, tha se “procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik, transparent dhe inkluziv”.

Ndërsa, ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu tha se një opozitë pakicë nuk mund të kërkojë zgjedhje.

 

“Ndiqni kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Nëse zgjedhjet janë proces kushtetues (constitutional process) është një gjë, por në cilin vend në Evropë keni opozitë pakicë që kërkon zgjedhje. Kjo nuk është e zakonshme. Të përballemi me realitetin; 33 deputetë, kanë 27% të votave, ne i respektojmë këto vota, këta votues dhe të gjitha partitë, nuk jemi kundër askuj t por po themi ju lutem respektoni rregullat”, tha ai.

Ai tha se Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri, veçse kjo duhet të bëhet duke u bazuar në ligjet e Kosovës.

“Shpresojmë që të gjitha partitë pozitë e opozitë të respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës dhe të angazhohen konstruktivisht me njëri tjetrin në formë dialogu. Kjo është mënyra se si funksionojmë ne dhe kjo është mënyra si mendojmë se do të funksionoj këtu.Është nevojë të flasin me njëri tjetrin në mënyrë që të gjejnë zgjidhje. Jemi kundër dhunës, përdorimit të saj. Besojmë që situata momentale duhet të kalojë por duke ndjekur ligjet e Kosovës”, tha ai.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell tha se çështjet politike në Kosovë duhet të zgjidhen nga vet kosovarët, por çdoherë duke respektuar Kushtetutën e vendit.

 

“Kemi biseduar për çështjen e zgjedhjes së presidentit, kemi thënë atë që kemi thënë më herët, që çështjen e zgjedhjeve në Kosovë, jo vetëm për presidentin, por në përgjithësi janë pyetje për kosovarët. Kosova është e pavarur, sovrane dhe liderët ne Kosovës duhet të zgjedhën sipas ligjeve dhe votuesve të Kosovës. Për ne është shumë e rëndësishme, në çdo aspekt, ligji të respektohet, kushtetuta të respektohet deri në fund, kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për tash por edhe për perspektivat evropiane. … Kërkesën për zgjedhje e shoh si çështje politike e Kosovës, që duhet të trajtohet, vlerësohet, të zgjidhet prej kosovarëve, jo prej meje”, tha ai.

A i tha se kosovarët janë përgjegjës për zhvillimet në Kosovë, dhe qytetarët me votat e tyre kanë pushtet tek përfaqësuesit e tyre.

Meqë nuk doli para gazetarëve, kryeparlamentari Veseli përmes një njoftimi për media, tha se beson që dialogu do të dominojë mbi të gjitha tendencat destruktive politike.

Në këto takime u bisedua për proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punë e Kuvendit të Kosovës. Ambasadorët theksuan domosdoshmërinë që të hiqet dorë nga përpjekjet që përmes dhunës të diktohen vendimet politike, përfshirë këtu edhe zgjedhjet, sepse kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike. Përpjekje të tilla janë duke e dëmtuar shumë imazhin e vendit dhe përparimin e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizmin demokratik të shtetit. Kryetari Veseli nga ana e tij theksoi se vazhdon të besoj? ? dhe angazhohet që fryma e dialogut dhe komunikimit në fund do të dominoj mbi të gjitha tendencat destruktive politike”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryetarit Veseli.

Shpërndaje në rrjete sociale