Sveçla: Mërgata do ta rifitojë shtetësinë me vetëm një dokument dhe brenda 30 ditësh

17:51 | 3 Prill 2026
Q L

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Qeveria ka miratuar Projektligjin për Shtetësinë, i cili sjell ndryshime në rifitimin, fitimin, regjistrimin dhe humbjen e shtetësisë së Kosovës.

“Ashtu siç edhe jemi zotuar në dhjetorin e vitit të kaluar, sot miratuam në mbledhjen e Qeverisë Projektligjin për Shtetësinë, i cili sjell ndryshime të rëndësishme në rifitimin, fitimin, regjistrimin dhe humbjen e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Ai ka theksuar se me miratimin përfundimtar të këtij ligji, qytetarët nga mërgata që janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia do të mund ta rikthejnë atë me procedurë të lehtësuar.

“Me miratimin përfundimtar të këtij Ligji, qytetarët tanë nga mërgata që janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës do të rikthejnë shtetësinë me procedurë të lehtësuar. Nga 9 dokumente sa janë kërkuar deri më tash, aplikimi për rikthim të shtetësisë do të bëhet me 1 kërkesë të thjeshtë dhe 1 dëshmi që personi nuk është i dënuar në shtetin përkatës. Po ashtu, afati për shqyrtim, i cili ishte 6 muaj, e kemi zbritur në 30 ditë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, qytetarët do të mund të aplikojnë për rifitim të shtetësisë në procedurë të shpejtë dhe pa pagesë.

“Në kuadër të këtij procesi, qytetarët do të mund të aplikojnë për rifitim të shtetësisë në procedurë të shpejtë dhe pa pagesë”, ka thënë Sveçla.

Ai e ka cilësuar këtë projektligj si një hap të rëndësishëm për qytetarët dhe mërgatën.

“Ky projektligj është një hap i rëndësishëm drejt sigurisë juridike, lehtësimit të procedurave për qytetarët tanë dhe forcimit të lidhjes së qëndrueshme ndërmjet shtetit dhe mërgatës, duke dëshmuar përkushtimin tonë që asnjë qytetar i Kosovës të mos ndihet i shkëputur nga atdheu i tij”, ka deklaruar Sveçla.

Lexo edhe:

Qeveria miraton Projektligjin për lehtësimin e rikthimit të shtetësisë për diasporën