Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e masakrave të kryera më 26 mars 1999 në disa lokalitete të vendit, duke theksuar nevojën për drejtësi dhe përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës.
Në një postim me rastin e 27-vjetorit, Kurti nderoi kujtimin e të vrarëve në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Padalishtë, Landovicë dhe Gjakovë, duke rikujtuar shifrat e rënda të viktimave civile.
“Sot kujtojmë me dhimbje 243 civilët e vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të Vogël, më 26 mars 1999. Forcat e armatosura të Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, ndërsa dogjën mbi 700 shtëpi, bashkë me institucione fetare e kulturore”, ka shkruar Kurti.
Ai përmendi gjithashtu masakrat në zona të tjera, duke theksuar se “nuk i harrojmë 48 anëtarët e familjes Berisha në Suharekë, 19 anëtarët e familjes Imeraj në Padalishtë, si dhe 23 të vrarët në Landovicë e gjashtë të vrarët në Gjakovë”.
Sipas tij, këto krime përbëjnë dëshmi të qarta të gjenocidit në Kosovë. “Këto vrasje e zhdukje me dhunë janë dëshmi të fuqishme të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Përballë këtyre krimeve, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: të vihet në vend drejtësia si imperativ moral, juridik dhe historik”, theksoi ai.
Kurti shtoi se Republika e Kosovës ka përgjegjësi të dyfishtë – ndaj së kaluarës dhe së ardhmes. “Ndaj së kaluarës, duke dokumentuar e kërkuar llogari për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ndaj së ardhmes, duke u angazhuar për paqe të qëndrueshme dhe për jetë më të mirë për brezat e rinj”, u shpreh ai.
Ai bëri thirrje për unitet dhe përkushtim ndaj vlerave të Republikës.
“Me zemrat e mbushura plot dashuri, respekt dhe krenari, përkulemi sot e gjithmonë para kujtimit të të gjithë të vrarëve tanë. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, shtoi ai.
Trump viziton sot Kinën për takime me Xi Jinping
NATO dhe ushtria serbe nisin stërvitje të përbashkëta ushtar...
Reshje shiu dhe ulje temperaturash, parashikimi i motit për ...
Tërmeti godet Iranin, raportohet lëkundje pranë Teheranit
Hoxha Osman Musliu në listën e VV-së për deputet, e publikon...
Raporti i Eurostat, sa është numri i shqiptarëve të kthyer n...