Rëndësia e sigurimit ushqimor, sfida e të qenit vendi me numrin më të vogël të inspektorëve ushqimorë në rajon si dhe përpjekjet e vazhdueshme të vendit për përafrim me standardet e BE-së qenë temat që u shtjelluan në konferencën “Roli i EFSA’s në mbështetjen e vendeve të IPA në rrugën e tyre drejt standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve”.
Në ngjarjen e bashkëorganizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore, ministri Armend Muja theksoi se siguria ushqimore është faktor kyç për shëndetin publik, ekonominë e qëndrueshme si dhe integrimin në BE.
“Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit për sistemin e sigurisë ushqimore. Kemi siguruar financim të fushatave vaksinuese dhe kemi avancuar dukshëm në sistemin e gjurmueshmërisë. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ende jemi në një fazë të ndërmjetme të progresit sa i përket standardeve të sigurisë ushqimore”, tha Muja.
Ai premtoi reforma në sistemin e inspektimit, nga inspektimi formal do të kalohet në inspektim që bazohet në rrezik. Kjo sipas tij do të mundësojë që bizneset mos të ngarkohen me kontrolle të panevojshme, por të bazohen vetëm në rrezik.
“Deri në vitin 2027, sistemi digjital i plotë i gjurmueshmërisë do të jetë një nga prioritetet tona esenciale në këtë sektor. Siguria ushqimore moderne kërkon një qasje të integruar që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Për këtë arsye, në kuadër të këtij vizioni të ri, do të fuqizojmë qasjen ‘One Health’ . Do të ndërtojmë mekanizma të koordinuar për të adresuar të gjitha rreziqet që i kanosen të gjitha qenieve dhe shëndetit në tërësi”, premtoi ministri Muja.
Mcmullan: Kosova ka treguar përkushtim drejt standardeve të BE-së
Patrick Mcmullan nga Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore potencoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të siguruar siguri ushqimore. Ai çmoi përkushtimin e Kosovës në raport me afrimin drejt standardeve të BE-së.
“Kosova ka treguar përkushtim të madh në përafrimin e standardeve të saj me ato të Bashkimit Evropian. Ky nuk është vetëm një proces teknik, por një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve tuaj dhe hapjes së tregjeve të reja. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë rrugëtim. Sistemi ‘One Health’ që u përmend më herët është jetik. Ne duhet të kuptojmë se shëndeti i njerëzve është i lidhur pazgjidhshmërisht me shëndetin e kafshëve dhe mjedisin. Vetëm duke punuar së bashku në të gjithë këta sektorë mund të sigurojmë një sistem ushqimor të qëndrueshëm dhe të sigurt për të ardhmen”, tha Mcmullan.
Kosova me numrin më të vogël të inspektorëve ushqimorë në rajon
Drejtori i AUV-it, Bekim Hoxha, tha se Kosova mbetet me numrin më të vogël të inspektorëve të ushqimit në rajon me rreth 83 sosh, duke e shndërruar këtë në sfidë për këtë treg.
“Mali i Zi i cili është tre herë më i vogël se Kosova i ka mbi 150 inspektorë, Maqedonia i ka 350, Bosnja dhe Hercegovina i ka 550, e shumë vende të tjera…Inspektori duhet me dalë në terren, duhet me pa, duhet me bë procesverbalin edhe duhet ta konstatojë dhe ta verifikojë gjendjen. Jemi të gatshëm ta bëjmë të pamundurën, është një numër i madh i inspektimeve që bëhet brenda muajit. Madje shumica e tyre (inspektorëve) punojnë të shtunën, të dielën, vijnë edhe jashtë orarit”, tha Hoxha.
27 vjet nga bombardimet, Kurti: Ndërhyrja e NATO-s hapi rrug...
PDK: Vendimi për KQZ-në hap rrugë për abuzime zgjedhore
Hadërgjonaj: Jemi të motivuar maksimalisht, besoj që kemi at...
Kurti pritet me tortë në Mitrovicë për ditëlindje
Aksident trafiku në Vranidoll të Prishtinës, shtatë të lëndu...
Shqetësuese: Dy fëmijë u braktisën brenda një muaji në Kosov...